Kongresi Kombëtar i Industrisë së bimëve Aromatike dhe Mjekësore zhvilloi sot punimet në Tiranë. I pranishëm në këtë takim, ishte Ministri I Bujqësisë Panariti, ku u shpreh se bimët, aromatike, mjekësore përbëjnë sektorin pararojë të eksporteve shqiptare.

Kreu i Bujqësisë tha se, Sherebela “Made in Albania” zotëron një pjesë të rëndësishme të tregut amerikan dhe sfida është zgjerimi i këtyre eksporteve.

“Shqipëria mbulon 70 % të nevojave të tregut Amerikan për sherebelë. Ndërsa bimët mjekësore shqiptare furnizojnë gjithashtu tregjet franceze, gjermane dhe italiane”-tha Panariti.

 “Shqipëria sot konkuron tregun e eksporteve, me cilësinë e prodhimeve bujqësore. Ndaj duhet të certifikojmë bimët tona si endemike, si marka autentike shqiptare”- theksoi ministri Panariti në fjalën e mbajtur në këtë takim.

Duke folur për masat rigoroze që ka ndërmarrë ministria e Bujqësisë, për kontrollin, sigurinë dhe cilësinë e prodhimeve bujqësore, ministri u shpreh se analizat për ndotësit duhet të kryhen periodikisht dhe sistematikisht, me qëllim garantimin e cilësisë së këtyre produkteve.

Bimët mjekësore në Shqipëri rriten kryesisht në Malësi të Madhe, Shkodër, Skrapar, Elbasan, Korçë, Berat, Përmet dhe Durrës. Pjesa veriore e vendit është e njohur për prodhimin e sherebelës me cilësi të lartë, ndërkohë që pjesa qendrore dhe jugore e vendit është e specializuar në prodhimin e rigonit dhe timusit.

Redaksia Online 
(xh.k/shqiptarja.com)