TIRANË, 23 Dhjetor /ATSH/- Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti, në përfundim të një takimi që zhvilloi sot me tregtarët në kryeqytet, garantoi se do të monitorojë situatën nga afër çdo ditë që të mos ketë abuzime me çmimet e shitjes.
Kreu i Bujqësisë siguroi qytetarët se situata do të mbahet nën kontroll për të gjithë produktet ushqimore , që për festat e fundvitit çmimet të mos pësojnë rritje.
Ministri i Bujqësisë garantoi se çmimet e produkteve ushqimore do të mbahen nën kontroll. Ndër të tjera, ai deklaroi se situata në tregje do të monitorohet çdo ditë, deri në fund të vitit, me qëllim që të mos ketë rritje çmimesh.
"Me drejtoreshën e Tatimeve dhamë një mesazh të qartë, që shitësit me pakicë nuk do lejohen në asnjë lloj rrethane të aplikojnë çmime abuzive.
Do të marrim masat që në këtë javë të fundvitit të krijojmë tregje të shumicës në qendër të qyteteve, që do të aplikojnë çmime të shumicës dhe do të jenë të aksesueshëm nga të gjithë konsumatorët. Spekulantët do ta kenë shumë të vështirë", tha Panariti./m.m/












