Ministri i Bujqësisë iu kërkoi familjeve dhe bizneseve në zonën e shtratit të Lumit të Vjosës, që të largohen, me qëllim që jetët e njerëzve të mos rrezikohen, derisa situata meteorologjike të përmirësohet.
“Në 12 orët e ardhshme pritet rritje e madhe e prurjeve të lumit Vjosa, ndaj iu bëj thirrje të gjithë banorëve të zonës dhe atyre që kanë biznese këtu, që të largohen për orët në vazhdim”, deklaroi Panariti, duke shtuar se, “angazhimi është maksimal i të gjitha strukturave, të cilat janë në gatishmëri të plotë dhe të mirëkoordinuara dhe të gjithë bashkë, dhe në radhë të parë, ne të gjith duhet të mbrojmë e shpëtojmë jetë njerëzish, padyshim edhe ekonomitë familjare”.
Me tej, Ministri i Bujqësisë, duke shpresuar për një situatë jo të rënduar, deklaroi se, 10 ndërhyrje të bëra nga Ministria e Bujqësisë në argjinaturën e Vjosës, do të zbusin vërshimin e ujërave drejt banesave dhe tokave bujqësore.
Ndërkohë, Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave njofton se, nga informacionet që vijnë nga rrethet, situata deri në orën 16.00 të ditës së sotme, është kjo:
Qarku Vlorë
Qarku Vlorë nuk ka asnjë problem nga moti i keq dhe reshjet. Vetëm në Novoselë, në toka joproduktive, në zonën e quajtur Skrofotinë, ka prezencë uji në 50 hektarë, të cilat pothuajse kështu qëndrojnë, të pakulluara. Të gjitha strukturat janë në gatishmëri dhe situata është nën monitorim, pa ndërprerje.
Qarku Lezhë
Nga reshjet e datave 08-09.11.02016 e në vazhdim, në qarkun Lezhë, nga informacionet e marra nga ekstensionistët e zonave, gjendja paraqitet si vijon:
Në Lezhë kane rënë 36 mm shi dhe në Dajç të Zadrimës, 38.1 mm shi.
Lumi Drin, kuota është 2.2 m, që do të thotë se, është pika kritike.
Lezha ka 610 ha tokë të përmbytura e konkretisht;
Bregu i Matës, 120 ha tokë bujqësore (Spiten, Markatomaj, Tresh 60 ha), (Shën Koll, Tale, 50 ha);
Barbulloj 50 ha;
Balldre, Gocaj, Torovicë, 400 ha;
Bacel, Blinisht 50 ha;
Rrethi Kurbin, 300 ha tokë, gjendja është shumë problematike.
Probleme ka në Gjorm dhe Zhej të Bashkise Kurbin, ku ka dhe përmbytje të shtëpiave të banimit për shkak të shkarkimit të rezervuarit që administrohet nga Bashkia, si dhe reshjet e shumta që kanë rënë.
Në zonën e Fushë Kuqes ka rreth 140 ha tokë të përmbytur dhe në Milot 30 ha. Eshtë përkeqësuar gjendja në Adriatik me mbi 90 ha, si pasoje e daljes nga shtrati të lumit Droje, janë përmbytur edhe 7 shtëpi banimi.
Probleme me energjinë elektrike nuk ka pasur, hidrovorët janë në punë me kapacitet të plotë.
Qarku Shkodër
Në Qarkun Shkodër ndodhen të përmbytura 1160 hektarë tokë bujqësore, nga të cilat 33 të mbjella me grurë, 644 foragjere e livadhe, 462 tokë djerr, 11.5 me perime dhe 10 hektarë me misër.
Në zonën e Bushatit janë nën ujë, 160 hektarë, në Bërdicë 185.5 hektarë, në zonën Ana e Malit 450 hektarë, në Dajç 60 hektarë, në Vaun e Dejës 50 hektarë dhe Guri i Zi, 285 hektarë.
Në këto sipërfaqe toke bujqësore, përmbytjet janë sipërfaqësore, si rezultat i shkarkimit të hidrocentralit. Lumi Buna ka dalë nga shtrati. Kanalet e III-ta janë të mbushura me ujë në nivelet baras me sipërfaqen e tokës.
Qarku Gjirokastër
Në rrethin e Gjirokastrës, Njesia Administrative Picar, rrezikojnë të përmbyten 10 ha tokë nga prurjet e lumit Gura e Picarit dhe në Njësinë Cepo, nga Lumi i Kardhiqit, rrezikojnë të përmbyten 8 ha.
Në rrethin e Tepelenës, në Njesinë Administrative Qesarat, 10 hektarë me hasell rrezikojnë të përmbyten nga prurjet e lumit Vjosa.
Ministria e Bujqësisë ka në gatishmëri të gjitha strukturat në qarqe, Drejtoritë e Bujqësisë, Bordet e Kullimit, ndërkohë që hidrovoret janë në funksion të plotë, ndërsa kanalet kulluese janë në gjendje pune dhe për të gjitha situatat në vijim, MBZHRAU do t’ju informojë.
(er.nu/shqiptarja.com)