Qendra Arsimore e Formimit Profesional është një materializim i reformës në sistemin veterinar sipas kritereve të vendosura nga Bashkimi Evropian.

Kështu ka deklaruar sot Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural e Administrimit të Ujrave, Edmond Panariti teksa ka marrë pjesë në inaugurimin e kësaj qendre e ngritur me mbështetjen e Qeverisë Sllovene dhe USAID në mjediset e Universitetit Bujqësor të Tiranës.

Të pranishëm në këtë ceremoni, ishin Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, Ambasadori Amerikan në Tiranë, Donald Lu, drejtori i USAD-it Marcus Johnson dhe përfaqësues së Qeverise sllovene.

Panariti, njëherazi një nga akademikët më të njohur të vendit, në fushën veterinare, u shpreh se, një prej objektivave të rëndësishëm te kësaj qëndre është koordinimi i projekteve për rritjen e cilësisë në universitetin Bujqësor me reformën në arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor. Specialistë të trajnuar në këtë Qëndër do të çojnë përpara integrimin e këtij sektorit në Bashkimin Evropian.

Ky projekt shumë shpejt do të jap rezultatet e tij në cilësinë e re të formimit të specialistëve. Prioritet i bujqësisë është përqasja e cilësisë së profesionistëve me atë që kërkon tregu i punës në sektorin rural. Ju garantoj edhe një herë mbështetjen e Ministrisë së Bujqësisë dhe të qeverisë shqiptare për projekte të tilla të cilat shënjojnë një cilësi të re të arsimimit dhe krijojnë një standard të ri për zhvillimin rural në vend”, tha Panariti.
 
Ambasadori amerikan Donald Lu ka shprehur kënaqësi për bashkëpunimin midis USAID dhe Qeverisë Sllovene në ngritjen e kësaj qendre arsimore profesionale si premisë e rëndësishme për zhvillimin dhe rritjen e cilësisë së mësimdhënjes në fushën e veterinarisë dhe më gjerë.

Ambasadori Lu shprehu vlerësimin për kontributin e Ministrit Panariti si "një nga profesionistët më të njohur të këtij sektorit në vend dhe një nga ministrat më të respektuar të kabinetit".

"Pres me pa durim ditën kur do të kem nderin të dëgjoj një nga mësimet tuaja, profesor!" u shpreh Ambasadori Lu gjatë vizitës në ambjentet e qendres. 

Qendra e Arsimit dhe Formimit Profesional do të ketë në përbërje një sallë të madhe për konferenca shkencore, salla trajnimi dhe dy laboratorë veterinarë të pajisur me aparatet më moderne që do të mbulojnë dy nga problemet më të rëndësishme të veterinarisë në Shqipëri, laboratori i sigurisë ushqimore, laboratori i mbrojtjes së shëndetit të kafshëve.

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)