Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural e Administrimit të Ujrave Edmond Panariti ka takuar sot ambasadoren e Bashkimit Europian në Shqipëri, Romana Vlahutin ku i ka kërkuar që të shtohen rrjetet tregtare të produkteve bujqësore shqiptare, krahas atyre ekzistuese. 

Sipas Panaritit, kjo do të mundësonte rritjen e ofertës dhe të konkurencës si dhe të stabilizimit të çmimeve të prodhimeve bujqësore dhe blegtorale.
 
Një gjë e tillë pritet që të nisë në një takim që pritet të mbahet shumë shpejt,  në nivel të përfaqësive diplomatike të BE-se në Shqipëri, nën drejtimin e Ministrisë së Bujqësisë dhe të Delegacionit Europian ku pritet që të shqyrtohen rrugët e rritjes së pranisë së rrjeteve tregtare europiane të ushqimit në Shqipëri.
 
Panariti propozoi edhe krijimin e platformave të integruara për çmimet më shumicë të artikujve bujqësorë, mbi bazën e mekanizmave të ankandit ose bursës, bazuar në përvojat evropiane.
 
Ambasadorja Vlahutin premtoi mbështetje në ketë drejtim nëpërmjet programit TAIEX.
 
Panariti i kërkoi ambasadores Vlahutin mbështetje në programet e parandalimit të sëmundjeve të transmetueshme nga kafshët tek njeriu, për të garantuar çrrënjosjen e tyre.

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)