Një panda gjigande e vendosur nën vëzhgim prej dy muajsh ishte parashikuar të filmohej për “lindjen e parë live të një pande”. Por transmetimi i parë live i lindjes së pandës është anulluar për shkak se ekspertët kuptuan se në të vërtetë nëna pandë vetëm po shtirej sikur ishte shtatzanë për të patur trajtim më të mirë.

“Iluzioni i shtatzanisë” apo “shtatzania fantom” është mjaft e hasur mes pandave por kujdestarët e kësaj pande thonë se ‘Ai Hin’ ka shfaqur sjellje mashtrimi të mësuara që tregojnë se është një kafshë me inteligjencë mbi normalen.

Por dy muaj pas shfaqjes së shenjave të para të shtatzanisë si oreks dhe lëvizje e reduktuar, vëzhgimi i rregullt dhe analizat e njëpasnjëshme nga ekspertët arritën të zbulonin se bëhej fjalë vetëm për një shtatzani fiksionale, jo të vërtetë.

Për shkak të vështirësisë së shtatzanisë së pandave në kopshtet zoologjike, ato trajtohen me kushtet më të mira duke u ushqyer me ushqime, bamboo e fruta të përzgjedhura, e madje duke u vendosur dhe në dhoma personale me ajër të kondicionuar. Kështu disa “nëna të ardhshme” kanë mësuar t’a shfrytëzojnë këtë mundësi dhe kur nuk janë shtatzanë, për të përmisuar kushtet e tyre të jetesës.