Akuzohet se pastroi 18.3 mln euro të 'Cosa Notra', 4 dëshmitarë rrëfejnë në GJKKO njohjet me Rezart Taçin! Çfarë thanë për Petruzella dhe Zummo

Akuzohet se pastroi 18.3 mln euro të 'Cosa Notra', 4 dëshmitarë rrëfejnë në GJKKO njohjet me Rezart Taçin! Çfarë thanë për Petruzella dhe Zummo

Rezart Taci

Gjykata e Posaçme ka pyetur 4 dëshmitarët e parë në procesin ndaj biznesmenit Rezart Taçi, i cili akuzohet për pastrim parash në shumën prej 18.3 milionë eurosh, të dyshuara si të ardhura të organizatës mafioze italiane, 'Cosa Nostra'.

I pari ishte noteri Ermal Hamzaj, i cili ka hartuar prokurën e posaçme që u firmos në Palermo nga italiani Francesco Zummo, një nga bashkëpunëtorët në këtë skemë të dyshuar për pastrim parash.

Sipas dëshmisë së Hamzajt, ai u kontaktua nga bashkëshortja e Rezart Taçit, Najada Taçi, për të hartuar prokurën dhe për të udhëtuar në Itali ku do të merrte nënshkrimin e Zummo-s.

Ai ka theksuar se komunikimi dhe pagesat për këtë shërbim janë kryer nga bashkëshortja e Taçit, ndërsa Zummo firmosi dokumentin për një periudhë të shkurtër kohore gjatë takimit në Itali.

Dëshmitarët e tjerë ishin ish-punonjësja e "Taçi Oil" Denisa Domi, juristi Emiljano Gjika dhe biznesmeni Elton Balliu, pronar i "Ebc Oil Company", me të cilin Taçi ka pasur takime pune.

Ata kanë deklaruar se me Taçin kishin patur mardhënie pune, ndërsa me Francesco Zumon, e kishin dëgjuar përmes lajmeve në media. Seanca e radhës u la për në 31 Tetor, për të vijuar me pyetjen e dëshmitarëve të tjerë.

gazetarja e Report TV, Keti Banushi, ka zbardhur edhe dëshmitë e dhëna sot në GJKKO.

Ermal Hamzaj ishte dëshmitari i parë, i cili u shpreh:

“Kam punuar me të. Kemi bashkëpunuar. Jam noter, kam një zyrë në Bllok. E njoh shumë mirë, kam punuar në kohën e Armo-s, 1 vit a 1 vit e gjysmë. Njoh bashkëshorten e tij, e kam mikeshë. Najada Taçi.

Në aktivitetin tonë ne kemi kërkesa nga shumë biznesmenë shqiptarë apo të huaj, që nuk kanë mundësi të jenë në Shqipëri. Në bazë të kërkesës, përgatisim aktet noteriale dhe shkojmë në vendet ku janë palët për shërbimet që ata kërkojnë. Më ka ardhur një kërkesë për të hartuar një prokurë dhe për të shkuar për të marrë firmat në Itali. Nga Najada Taçi më erdhi kërkesa, nga bashkëshortja e Taçit. Pagesën, rezervimin të gjitha i bëri bashkëshortja e Taçit (të gjitha pagesat). Vajta në Itali (itinerari Shqipëri-Palermo-Romë) diçka e tillë. Brenda ditës udhëtimi. Ka qenë një financier, miku i tyre ai që më shkruajti dhe më tha të pres në Palermo. Ishte një financier italian. Najada më preu biletën dhe në Watsapp më vjen një mesazh nga financieri. “Në aeroport sa të mbërrish të presim ne”. Kemi bërë një udhëtim diku 20-30 minuta. Erdhi një zotëri i moshuar, lexoi dhe firmosi prokurën. Maksimumi ishte 5 minuta punë. Financieri është i arrestuar, në gazetë e lexova. “Është arrestuar financieri…”. Si pamje e kujtoj. Ai quhej Fabio Petruzzela. Artur Ballën dhe Bledar Lilon i njoh se i kam pasur kolegë. Mesa mbaj mend nuk kam takuar asnjë nga ata, kam takuar vetëm gruan e Taçit dhe porositë i kam marrë nga ajo”.

I pyetur nëse ishte kontaktuar nga biznesmeni, ai tha:

“Nuk më ka kontatuar Rezart Taçi. Nuk e kam takuar Rezartin në Itali. Prokurën e bëra sepse ma kërkoi gruaja e Taçit. Nuk e dija nëse ishin akoma burrë e grua në atë kohë”.

Më tej dha edhe sqarime për punën mes tyre.

“Kam punuar me Taçin në 2011, besoj. Për një hark kohor 1vit e gjysmë. Kam punuar jurist. E kam takuar kur ka dalë nga burgu në Zvicër, takimi në Austri. Jemi takuar për punë. Përafërsisht përpara kësaj gjëje. U ndërpre çdo marrëdhënie kur doli kjo gjëja në media. Unë kam pasur marrëdhënie shoqërore me gruan e Taçit”.

Denisa Dobi dëshmitarja e dytë tha para GJKKO se:

“E njoh Rezart Taçin. Kam qenë e punësuar te “Taçi Oil” deri në gusht 2013. Më pas kam punuar në “Ebc Oil Petrol”. Administratorin dhe aksionerin e shoqërisë e njihja që nga koha e “Tacci Oil”, Elton Balliu.  Nuk shkoja shpesh në zyrë, sepse kompania e kishte zyrën ne Shijak, çfarë më kërkohej e bëja në telefon ose lap-top. E kam njohur Artur Ballën dhe Bledar Lilon. Ky i fundit nuk kishte pozicion në “Ebc Oil”. Artur Balla di që “Ebc Oil” kishte marrëdhënie të jashtme. Në fushën e naftës, në momentin qe kërkon të shesë karburantin, bën marrëveshje me palë të treta. Jam aktualisht me foshnjë me gji, kam 1 vit që jam shkëputur. Memorien nuk e kam të fortë që nga 2021. Komunikime me Artur Ballën kam pasur, më thonte që X person do vijë të bëjë furnizim. Fabio Petruzela- për këtë më është kërkuar të bëj një rezervim në hotel për të. Te “Plazza”. Me anë të një agjencie që e bënte këtë shërbim e kam bërë rezervimin. Nuk e mbaj mend sa herë e kam bërë një shërbim të tillë. Ma kërkoi Artur Balla. Pagesën e ka bërë agjencia. Nuk di të them kush ia jepte paratë. Rezart Taçin e kam njohur që në 2005, ka qenë shefi im drejtpërdrejtë, marrëdhënia ka qenë shumë e gjatë. Ka qenë një person i cili bashkëpunonte me shoqërinë, po prapë në anën e jashtme. Në aspektin ndërkombëtar. shoqerisë i duheshin furnitorë dhe unë kisha kontakte me Taçin. Komunikimin e kemi pasur në kuadër të furnitorëve. Mund të më thonte kontaktet. Unë ndiqja pjesën ekonomike në aspektin tregtar, ngarkesën, çmimin… Me Rezartin komunikoja me telefon. Ermal Hamzajn e njoh, është noter.

Gjykata e pyeti dëshmitaren nëse kishte përpiluar shkresë në drejtim të ish-zv/kryeministrit dhe ministrit Arben Ahmetaj?

“Dobi: Nuk e mbaj mend. Është dinamike puna, pagesa, fatura janë bërë".

Pyetjes vijuese nëse drejtoheshin autoriteteve të larta, ajo tha se “Jo. Vetëm me institucione si drejtoria e përgjithshme e doganave…”.

Dobi u njoh edhe me një dokument nga Prokuroria e Posaçme.

Dëshmitarja u shpreh:

“E kam shtypur, sepse përdor një format të caktuar. Më është kërkuar nga Artur Balla, nëse i referohem bisedës. Nuk e kam hartuar në përmbajtje, thjesht e kam shkruar. E shtypa dhe ia dërgova”.

Pyetjes nëse e ka takuar Rezart Taçin, ajo iu përgjigj:

“Jo. Kam pasur punë vetëm me Arturin”.

I treti ishte juristi Emiljano Gjika, i cili dëshmoi si më poshtë:

“E njoh Rezart Taccin. Unë jam jurist. Në vitin 2021 kam qenë i punësuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave. Nëse kërkohej ndonjë konsulencë juridike e ofroja. Tek dy kullat, tek bulevardi, kanë qenë zyrat e Najada Taçit, për atë ofroja konsulencë. Kam përdorur dy numra telefoni në atë kohë. Gjatë vitit 2021 kam pasur marrëdhënie me shoqërinë “Ebc oil company sha”. Ndonjëherë me Artur Balla, ndonjëherë me Denisa Dobi kam pasur marrëdhënie pune. Kur e kam takuar Artur Ballën më ka kërkuar dy dokumente, një marrëveshje huaje që do përdorej për të blerë naftë dhe një tjetër për një burrë italian me thinja, ka dalë edhe në media. Nuk ia mbaj mend emrin. Njëra palë ishte “Ebc”, tjetrën nuk e di. Fabio Patruzelën e njoh. Petruzela erdhi tek unë nga Arturi. Ai jetonte në Milano. Nuk ishte rasti i parë që kisha bërë marrëveshje të tilla për të marrë hua. Petruzela ishte ndërmjetësi. Nuk mora pagesë, se kështu është bërë tani. Rezart Taçin e kam njohur, e kam takuar në Prill 2010, kur kam filluar punë në Armo . Pastaj kam punuar me të në marrëdhënie konsulence deri vonë, deri në 2021-2022. Me Eltonin jam njohur në Armo, ai ka patur një kompani dhe ka qenë shofer. Ka qenë edhe shofer i Taçit.

Prokuroria Braho e pyeti nëse e njihte Francesko Zummo-n, por Gjika u përgjigj se “përmes televizorit”.

Kurse pyetjes së avokates, për komunikimin e fundit me Taçin, nëse ishte para apo pas COVID-it, ai iu përgjigj:

“Gjatë kohës së Covid, sepse ka pasur sëmurë prindërit. Më ka falenderuar në telefon. Nuk kam pasur komunikime me atë, kam folur me Artur Ballën”.

Biznesmeni Elton Balliu, ishte dëshmitari i katërt. Miku i Taçit u shpreh:

“E njoh Taçin, kam marrëdhënie shoqërore. E kam pas njohur me përpara. Jam administrator dhe aksioner i “Ebc Oil Company”. Më 2005 kam qenë në shkollë , kam punuar në Sheraton dhe ja njohur me Rezart Taccin më vonë. Me Artur Ballën dhe Bledar Lilon jam njohur në 2008-2009. Denisa Dobi në shkurt 2020 ishte ekonomiste e ekonomisë, merrej me pjesën financiare. Nga 2017 e mbrapa kam pasur marrëdhënie shoqërie me Rezartin. Duke njohur tregun e naftës, i kam kërkuar ndihmë të më sillte furnitorë nga jashtë. Kemi pasur shumë shoqëri dhe nëse kompania do dilte me fitim, do i jepja atij një përqindje. Nga bilancet unë dola me humbje, ndaj nuk i kam dhënë asnjë gjë. Duke qenë se Rezarti merrej me furnitorët, Denisa merrte konfirmim nga mua dhe fliste me Rezart Taçin. Emiljano Gjikën e kam njohur, kemi qenë shokë përmes ca shokëve të mi. Ka punuar në Armo. Kam marrë këshilla ligjore nga ai. Francesko Zummo dhe Fabio Petruzzela thjesht i kam dëgjuar nëpër media, nuk kam pasur të bëj me ata”.

S.G/A.Q/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Humbi jetën pasi ra nga 10 metër lartësi në vendin e punës, zbulohen detaje të reja lidhur me 41- vjeçarin shqiptar në Itali

Humbi jetën pasi ra nga 10 metër lartësi në vendin e punës, zbulohen detaje të reja lidhur me 41- vjeçarin shqiptar në Itali