Pandemia COVID-19 ka goditur rëndë ekonominë e brishtë të vendit. Kanë mjaftuar vetëm tre muaj karantinë Prill-Maj-Qershor, që Prodhimi i Brendshëm Bruto të tkurret me 10.23%.

Të dhënat e bëra publike nga INSTAT, tregojnë se goditja më e madhe krahasuar me tremujorin e dytë 2019, është dhënë nga aktiviteti i tregtisë, transportit dhe hoteleve me -26.3%, pësuar nga aktivitetet financiare të sigurimit me -21.6%, duke vijuar me artin dhe argëtimin me -19.6%. Këto janë sektorët kryesorë që u mbyllën me vendim të qeverisë që në fillim kur koronavirus u shfaq në vend si nje masë për të frenuar përhapjen e tij. Të vetmit kategori që kishin përmirësim ishin bujqësia dhe biznesi i shitjeve të pasurive të paluajtshme.

Referuar të dhënave të Institutit të Statistikave rënia ekonomike në tremujorin e dytë, krahasuar me tremujorin e parë kohë kur fillojë edhe pandemia COVID-19, është në nivelin e 8.8%.

Nëse do të krahasojmë të dhënat e Janar-Mars me periudhën Prill-Qershor rënia më e ndjeshme është po tek sektori i turizmit dhe tregtisë, me tkurrje prej më shumë se 28.3%. Sektori i turizmit sipas ekspertëve do të sjellë 1.4 miliardë euro më pak se në 2019. Rënie e ndjeshme është konstatuar edhe tek sigurimi, kultura, shëndetësia, arsimi, ndërtimi apo komunikacioni. Ndërsa bujqësia u rrit me 0,61 %.

Një rënie e tillë ekonomike ishte e paralajmëruar vetëm nga ekspertët kritik të ekonomisë. Banka Botërore paralajmëroi një rënie ekonomike në fund të vitit në nivelin e 5-7%, BERZH kishte parashikimin më të zymtë me 9% rënie ekonomike, Fondi Monetar Ndërkombëtar e rishikoi pritshmërinë e tij nga 5 në 7%. Ndërsa Ministria e Financave dhe Banka e Shqipërisë kishin një parashikim më optimist në nivelin nga 4.5 deri në 5%.

Nga ana tjetër sipas Ministrisë së Financave GDP e vendit në qershor të këtij viti ishte 1.5 trilionë lekë nga 1.7 që ishte në fund të qershorit të 2019 duke kalkuluar një rënie prej 200 mld lekësh. 

( Kliko këtu ) Raporti i plotë i INSTAT

vijon..