U restaurua pazari karakteristik, fasadat e muret e shtëpive muzeale, por edhe pse më e bukur se kurrë, Gjirokastra është braktisur këtë vit. Pandemia ka dëmtuar rëndë qytetin e gurtë. Shumë hotele, hane e bujtina janë mbyllur.
Numri i vizitorëve numërohet me gishtat e dorës në muze, kalanë e qytetit dhe shtëpitë karakteristike. Me qindra prenotime janë anuluar, ndërsa të vetmit vizitorë janë ata vendas që qëndrojnë pak orë në Gjirokastër.
Përgjegjësja e Kalasë Gjirokastër, Adriana Nano thotë se nga maji e deri më tani kanë mbërritur vetëm 850 vizitorë në Kalanë e Gjirokastrës. Ndërsa vitin e kaluar qyteti i gurtë u vizua nga 90 mijë turistë, shumica prej tyre të huaj.
"Numri i vizitorëve nuk mund të jetë i njëjtë me një vit më parë pasi dihet pandemia globale, por disa ditës vizitorët vendas janë në rritje, turistët e huaj janë shumë të pakët në numër, por shpresojmë që në vijim numri dhe fluksi të rritet. Kuptohet si një sezon turistik që është në shumë vështirësi sivjet", tha Nano.
Gjirokastra me vlera të rralla muzeale, tregtare e kulturore ia vlen të jetë në listën e vendeve që duhet të vizitoni gjatë këtij sezoni.