Pandemia, numri i llogarive bankare të lidhura me internetin u rrit me 33% në 2020

Pandemia, numri i llogarive bankare të lidhura me internetin u rrit me 33% në 2020

Foto ilustruese

Llogaritë e lidhura me shërbimin e internet banking u rritën me ritme dyshifrore për vitin 2020. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, numri i llogarive bankare të lidhura me internetin arriti në afërsisht 586 mijë, në rritje vjetore me 33% ose rreth 144 mijë llogari më shumë.

Përdorimi i internet banking është rritur për të dymbëdhjetin vit radhazi, ndërkohë që vetëm në harkun e pesë viteve të fundit, numri i llogarive të aksesueshme nga interneti është katërfishuar. Viti 2020, megjithatë, u shoqëria me ritme rritjeje rreth tre herë më të larta krahasuar me vitin 2019.

Duket se pandemia dhe kufizimet i kanë dhënë një shtysë të fortë rritjes së përdorimit të shërbimeve bankare nëpërmjet internetit. Rritja e numrit të llogarive të lidhura me internetin ishte e lartë si te bizneset, me pothuajse 39%, edhe tek individët, me 33%. Në total, statistikat tregojnë se rreth 89% e llogarive të lidhura me internetin u takojnë individëve, që njëkohësisht zotërojnë edhe peshën më të lartë në strukturën e llogarive bankare.

Si raport i thjeshtë i numrit të llogarive me numrin e përgjithshëm të popullsisë, vlerësohet se në Shqipëri, numri i llogarive të lidhura me internetin është sa rreth 21% e popullsisë, në rritje të ndjeshme prej nivelit 15.5% të vitit 2019.

Shërbimi i internet banking ofrohet nga 11 prej 12 bankave tregtare në Shqipëri. Me rritjen e rëndësisë së teknologjisë në shoqëri, bankat po fokusohen në promovimin e këtyre shërbimeve si kanal alternativ për marrëdhëniet me klientët. Promovimi i internet banking u nxit më shumë pas shpërthimit të pandemisë, i nxitur edhe nga masat rregullative të Bankës së Shqipërisë, që gjatë mbylljes së ekonomisë pezulloi komisionet për pagesat ndërbankare nëpërmjet internetin.

Me ndryshimet e përhershme rregullative të miratuara në mesin e vitit, u përcaktua se komisionet për transfertat nëpërmjet internetit duhet të jenë të paktën 50% më të lira krahasuar me ato që kryhen në sportelet e bankave. Transfertat e vogla deri në shumën e 20 mijë lekëve do të kryhen pa asnjë komision.

Një studim i publikuar vitin e kaluar nga Shoqata Shqiptare e Bankave (para shpërthimit të pandemisë), evidentoi se kanali kryesor i marrëdhënies me bankën për shqiptarët ngelej kontakti direkt me degët dhe bankomatet. 91% e të anketuarve kishin si formën më të shpeshtë të marrëdhënies me bankën kontaktin direkt, ndërsa vetëm 17% kishin si kanal kryesor internet banking.

Potencialet për të rritur përdorimin e teknologjisë në shërbimet financiare janë ende të mëdha, po të kemi parasysh se të paktën 65% e shqiptarëve janë përdorues të internetit përmes rrjeteve celulare. Ndërkohë, anketimet paralele kanë treguar se vetëm 40% e shqiptarëve në moshë madhore zotërojnë llogari bankare, gjë që dëshmon nevojën ende të lartë për të rritur edukimin financiar dhe formalizimin e ekonomisë./ Monitor

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Ligjbërësit iranianë kërkojnë ndryshimin e projektligjit të rreptë për hixhabin

Ligjbërësit iranianë kërkojnë ndryshimin e projektligjit të rreptë për hixhabin