Pandemia nxiti përdorimin e teknologjisë, BSH: në 2020 u realizuan 22 milionë pagesa elektronike, po përdoret edhe monedha dixhitale

Pandemia nxiti përdorimin e teknologjisë, BSH: në 2020 u realizuan 22 milionë pagesa elektronike, po përdoret edhe monedha dixhitale

Foto ilustruese

TIRANË- Mbi 22 milionë pagesa në vitin e kaluar janë bërë në rrugë elektronike, të nxitura edhe nga pandemia COVID-19. Në raportin vjetor të depozituar në Kuvend, Banka e Shqipërisë thotë se në vitin e pandemisë pagesat nëpërmjet rrugëve elektronike janë rritur me 18.5%, krahasuar me vitin 2019. Ndikim në rritjen e pagesave elektronike ka dhënë pandemia COVID-19, e cila kufizoi lëvizjet e qytetarëve, dhe e vetmja mundësi që ata kishin ishte të përshtateshin me teknologjinë.

“Viti 2020 u karakterizua nga një tendencë në rritje e përdorimit të instrumenteve elektronike të pagesave krahasuar me një vit më parë. Raportimet e bankave për instrumente të pagesave tregojnë se deri në fund të vitit, ka pasur një rritje të vazhdueshme të pagesave të iniciuara nga klientët me kartë dhe pagesave me para elektronike, e njëkohësisht edhe të pagesave home banking. Numri i pagesave me instrumente është rritur me 18.5%, duke kapur nivelin e rreth 22.06 milionë pagesa në total, ndërkohë që vlera në total e pagesave ka pësuar një rënie të lehtë prej 2.9%”, thuhet në raportin e Bankës qendrore.

 

Kartat vijojnë të mbeten instrumenti kryesor i pagesave, por sipas raportit në tregun shqiptar po futet edhe përdorimi i parasë elektronike, e cila po përdoret kryesisht nga qytetarët dhe jo nga bizneset.

“Analiza sipas instrumenteve të pagesave të përdorur tregon për një zgjerim të vazhdueshëm të pagesave elektronike. Pagesat me karta zënë vendin kryesor të instrumenteve të pagesave, përkatësisht me 50.1% në numër, duke tejkaluar kështu për herë të parë transfertat e kreditit në formë letër. Kjo rritje i dedikohet edhe kufizimeve në lëvizje gjatë pandemisë. Pagesat me para elektronike, si një instrument pagese relativisht i ri, po përdoret ekskluzivisht nga individët dhe jo nga bizneset. Ndërkohë, i njëjti trend vihet re edhe tek pagesat me karta, të cilat vazhdojnë të përdoren më shumë nga individët sesa nga bizneset (në një raport përdorimi 97.2% individë, përkundrejt 2.8% biznese). Nga ana tjetër, bizneset vazhdojnë të reflektojnë një përdorim më tradicional të bankingut (transfertë krediti në formë letër, jo letër, çeqet etj.) krahasuar me individët”, vijon më tej raporti i bankës.

Gjatë vitit të kaluar sektori bankar u përfshi nga një fushatë e gjerë sensibilizimi për të rritur sa më shumë përdorimin e kartave dhe për të shmangur cash-in në ekonomi. Nga ana tjetër banka e Shqipërisë po punon për sistemin kombëtarë të pagesave për të lehtësuar sa më shumë pagesat elektronike.

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Lufta në Ukrainës/ Tre të vdekur nga sulmet ruse me dronë në Donetsk dhe Sumy

Lufta në Ukrainës/ Tre të vdekur nga sulmet ruse me dronë në Donetsk dhe Sumy