Chiara Ferragni shpallet e pafajshme për çështjen Pandoro duke shënuar kështu mbylljen e saj, raporton Corriere della Sera.

Akuza ndaj saj ishte mashtrim i rëndë në bashkëpunim me dy persona të tjerë, të cilët janë shpallur gjithashtu të pafajshëm nga dosjet e famshme Balocco Pink Christmas dhe vezët e Pashkës, Dolci Preziosi. Sipas organit të akuzës, ajo kishte reklamuar shitjen e dy produkteve duke deklaruar se një pjesë e të ardhurave do të përdoreshin për të financuar projekte bamirësie.

“Jam shumë e lumtur, makthi mori fund, tha sipërmarrësja. “Falënderoj avokatët dhe ndjekësit e mi që për dy vite, më kanë mbështetur deri më tani. Jemi shumë të prekur, faleminderit”, tha Ferragni, e cila u përfaqësua nga Giuseppe Iannaccone dhe Marcello Bana.

Pse gjykatësi mori këtë vendim

Shkaku i pushimit të çështjes ishte një çështje teknike, por e rëndësishme: ajo që lidhet me rrethanën rënduese të “mbrojtjes së reduktuar” të përdoruesve online, e kundërshtuar nga prokurorët në aktakuzë. Pikërisht kjo rrethanë e bënte mashtrimin të ndiqej penalisht kryesisht nga shteti (ex officio), pra pa pasur nevojë për një kallëzim.

Gjyqtari nuk e njohu këtë rrethanë dhe duke qenë se Codacons dhe Shoqata e Përdoruesve të Shërbimeve Radiotelevizive kishin tërhequr kallëzimin rreth një vit më parë pas një marrëveshjeje dëmshpërblimi me influencueren, vendosi pushimin e çështjes për shuarje të veprës penale, e rikualifikuar si mashtrim “i thjeshtë”. Me fjalë të tjera: pasi ra rrethana rënduese, erdhi pushimi i akuzave për shuarje të veprës penale të mashtrimit “të thjeshtë”.

Akuzat kundër Ferragni-t

Prokurorët Eugenio Fusco dhe Cristian Barilli kishin kërkuar një dënim prej një viti e tetë muajsh pa rrethana lehtësuese. Sipas hetimeve të Njësisë së Policisë Ekonomike-Financiare të Guardia di Finanza, ndërmjet viteve 2021 dhe 2022 Ferragni dyshohet se ka mashtruar ndjekësit dhe konsumatorët duke përfituar padrejtësisht  në lidhje me shitjen e dy produkteve, çmimi i të cilave nuk përfshinte bamirësinë e reklamuar, rreth 2.2 milionë euro.

Sipas akuzës, ajo dhe ish-bashkëpunëtori i saj. Fabio Maria Damato, edhe ai i pandehur (me kërkesë dënimi prej një viti e tetë muajsh), kishin “rol parësor” në fushatat tregtare përmes të cilave do të ishte realizuar mashtrimi me “shtrirje të gjerë”, sepse 30 milionë ndjekësit e saj i besonin asaj dhe shoqëritë e saj kishin “fjalën e fundit” në marrëveshjet me Balocco dhe Cerealitalia. Për të pandehurin e tretë, presidentin e Cerealitalia-s, Francesco Cannillo, prokuroria kishte kërkuar një dënim prej një viti. Siç u tha më sipër, si Damato ashtu edhe Cannillo janë shpallur të pafajshëm.

Sipas prokurorëve të Milanos, “fitimi” i mashtrimit të supozuar përfshinte edhe “forcimin mediatik të imazhit të blogeres”, pasi sipërmarrësja do të kishte përfituar nga “konsensusi në rritje i fituar duke përcjellë një përfaqësim të vetes të lidhur ngushtë me angazhimin personal në bamirësi”. Sipas akuzës, kjo tezë ishte përforcuar edhe nga konsiderata të përfshira në vendimin me të cilin, në janar 2024, Prokurori i Përgjithshëm i Gjykatës së Kasacionit kishte përcaktuar kompetencën territoriale të Milanos për këtë procedim.

Mbrojtja e Ferragni-t

Ferragni ka pohuar gjithmonë pafajësinë e saj. Në rastin më të keq, ka deklaruar vazhdimisht, bëhej fjalë për publicitet mashtrues, për shkak të gabimeve në komunikim, për të cilat ajo ka mbyllur tashmë çështjen administrative duke paguar dëmshpërblime dhe duke bërë donacione në vlerë rreth 3.4 milionë euro. Për më tepër, kanë theksuar avokatët e saj, “nuk ka pasur asnjë qëllim mashtrues”, pra asnjë vullnet për të gënjyer konsumatorët; përkundrazi, nga pikëpamja objektive e provave, nuk është verifikuar asnjë mashtrim.

“Çdo gjë që kemi bërë, e kemi bërë me mirëbesim; askush prej nesh nuk ka përfituar,” shpjegonte sipërmarrësja në deklaratat gjatë procesit me procedurë të shkurtuar, më 25 nëntor.

Në mbështetje të tezës së tyre, avokatët kanë përmendur një sërë emailesh mes sipërmarrëses dhe Balocco-s. Ata kanë sqaruar se, edhe nëse ka pasur publicitet mashtrues, ai është kompensuar tashmë në instancat përkatëse. Për rrjedhojë, mbi bazën e parimit juridik të ne bis in idem, nuk mund të dënohesh dy herë për të njëjtën sjellje.