BRITANI - 22 mijë pacientë dentarë në Mbretërinë e Bashkuar mund të jenë infektuar me virusin HIV, Hepatit B ose C pasi kanë marrë shërbime nga një stomatolog që nuk respektonte fare standartet higjenike gjatë përvojës së tij 32-vjeçare.

Mjeku Desmond D’Mello tashmë është pushuar, ndërsa shërbimi mjekësor në Angli është në kërkim të mijëra pacientëve për t’i testuar për viruse apo infeksione të rrezikshme, në atë që mund të quhet skandali më i madh mjekësor në Mbretërinë e Bashkuar.

Hetimet vijnë pasi një 23-vjeçare humbi jetën pasi ishte trajtuar nga stomatologu 60-vjeçar D’Mello, i cili ishte pezulluar nga Këshilli i Përgjithshëm Dentar, pikërisht për shkak të praktikave të varfra higjenike.

Një kamer e fshehtë e vënë në ambientet e punës së tij prej 3 ditësh ka treguar që dentisti nuk pastronte siç duhet instrumentet e punës, përdorte të njëtën gjilpërë disa herë, ndërsa thuhet se ka shfrytëzuar mjetet të cilave iu kishte skaduar afati përpara 20 vitesh. Kjo ngjarje ka sjellë reagime nga drejtues të organizmave dentarë ndërkombëtarë, të cilët thanë se vënia e jetës së pacientëve në rrezik ishte e pajustifikueshme.

Në 25 vitet e fundit, 10 mijë pacientë kanë rezultuar me virusin HIV në Britaninë e Madhe. Ndërkaq, në mbarë botën numërohen 4 raste personel mjekësor që kanë infektuar pacientët me vetëdije.

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)