Humbjes së turpshme me Kosovën, i është bashkangjitur edhe e sotmja me Ukrainën (1-4), duke pësuar 7 gola në total. Po të llogarisim edhe humbjen me Norvegjinë, janë 3 ndeshje radhazi me humbje dhe Panucci tashmë është në qendër të kritikave. Ukrainasit kanë qenë më mirë në minutat e parë dhe krijojnë njëri pas tjetrit disa raste shënimi.

Megjithatë, edhe tanët hyjnë në lojë dhe Lenjani gabon i vetëm para portës. Më pas, pas një goditje këndi, Mavraj mund të kishte shënuar me kokë. Pikërisht në momentet më të mira të kuqezinjve, Konoplyanka na ndëshkon. Pa kaluar as 5 minuta, mbrojtja kuqezi shpërbëhet sërish dhe 0-2 për Ukrainën. Ishte ylli i ukrainasve, Yarmolenko, ai që shënoi golin e dytë.

Kur po mbyllej pjesa e parë, tanët shpërfytyruar tërësisht dhe pësojnë edhe golin e tretë, duke u turpëruar sërish. Përsëri Yarmolenko shënoi për ukrainasit. 

(Golat e ndeshjes)

Panucci në këtë ndeshje bëri një gjysmë hapi pas, duke rikthyer në fushë formacionin me skemën që është parë tradicionalisht nga De Biasi, por as ndryshimi i skemës nuk dha rezultatin e pritur.

Në të dytën, kuqezinjtë luajnë mirë, kanë edhe 2 raste shënimi, me Memollën dhe Lilajn, por pa rezultat. Ukraina shënon rastin e parë në 45 minutat e dyta në 63’, por shumë i rrezikshëm.

Më pas ritmi ka rënë për të dyja skuadrat, por në pak raste që Ukraina del para, është shumë e rrezikshme, siç ishte në minutën e 83-të, ku vetëm mrekullia e Berishës na shpëton nga goli i katërt. Kur ndeshja po i afrohej fundit, Emanuele Ndoj shënon golin e nderit për Shqipërinë. Ky ishte edhe goli i parë për Ndojin si kuqezi.

Por Ukraina nuk kënaqet dhe në minutën e parë shtesë shënon golin e katërt dhe mbyll ndeshjen me fitore 4-1. Konoplyanka e nisi dhe ai e mbylli këtë fitore me “poker” golash.

Shqipëri-Ukrainë 1-4 
Ndoj 89’ / Konoplyanka 31’, 90’, Yarmolenko 36′, 45’

Shqipëria: Berisha, Hysaj, Mavraj, Gjimshiti, Veseli, Lilaj (Ajeti 64′), Ndoj, Roshi (Balaj 46′), Lenjani (Memolla 46′), Ramadani (Qaka 26′), Manaj (Cikalleshi 56′). Trajner: Ch.Panucci.

Ukraina: Lunin, Butko (Karavayev70′) , Krivtsov, Burda, Sobol, Marlos (Sharapenko 56′), Zinchenko (Sydorchuk 70′), Malinovski (Kovalenko 70′), Yarmolenko, Besedin (Zelsenov 46′), Konoplyanka. Trajner: A. Shevchenko.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:54
VIDEO/E 'tradhtoi' ekipi, Etrit Berisha s'i mban dot nervat pas golit të 4

Pas golit të katërt të Ukrainës, të shënuar nga Konoplianka në minutat e fundit të sfidës, “nervat” nuk e kanë mbajtur më as Etrit Berishën. Gardiani i Kombëtares, në shumicën e golave nuk kishte se çfarë të bënte asgjë, po ashtu edhe në golin e fundit.
Me mbrojtjen që e “tradhtoi” në disa momente, ai filloi të bërtiste si i çmendur ndaj të tijve. Lojtarët e Ukrainës bënin ç’të donin në zonë, dhe Berisha nuk mund të bënte asgjë më tepër për të ndaluar topat që shkonin me radhë drejt portës së tij./panorama-sport/

 

Ora 18:28
VIDEO/'Më duhet të iki, më falni', Panucci braktis intervistën pas fishkëllimave të tifozëve

Humbja 4:1 me Ukrainën duket se ka tronditur atmosferën e ekipit kuqezi. Kështu, Trajneri Kristian Panuçi ka braktisur intervistën që po jepte për gazetaren e ‘SuperSport’, Ilda Bejleri në momentin që disa tifozë aty pranë nisën të vërshëllin ndaj tij, në shenjë pakënaqësie ndaj paraqitjes së dobët të ekipit.

“Më duhet të iki, më falni”, ishin fjalët e italianit, i cili hoqi kufjet dhe u largua së bashku me Gerti Carçanin, i cili po bëhej gati të përkthente deklaratat e tij.

Rezultatet e dobta, veçanërisht dy ndeshjet e fundit ndaj Ukrainës dhe Kosovës kanë vënë në pikëpyetje të ardhmen e 45-vjeçarit në krye të Kombëtarës, teksa pritet që federata të marrë një vendim për të ardhmen e tij.