Panucci debuton me fitore 
Shqipëri - Liechtenstein 2:0

ELBASAN - Christian Panucci e nis më së miri aventurën në krye të pankinës kuqezi.

Trajneri italian debutoi me fitore 2:0 ndaj Liechtenstein në “Elbasan Arena” sfidë e vlefshme për Grupin G të eliminatoreve për Kupën e Botës “Rusi 2018”.
Golat për kuqezinjtë erdhën nga Odise Roshi në minutën e 53’ dhe Ansi Agolli 12 minuta nga fundi i takimit, pasi pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura.

Mesfushori devijoi në rrjetë një top të gjuajtur fort nga Migjen Basha, ndërsa mbrojtësi dha spektakël në zonën e rreptësisë dhe përmes një gjuajtje më të djathtën mposhti portierin mik.

​Pas kësaj fitoreje, Shqipëria renditet në vendin e tretë me 12 pikë në 7 ndeshje të luajtura. Grupi kryesohet nga Spanja dhe Italia, të cilët do masin forcat në mbrëmje. Pas tre ditësh, kombëtarja shqiptare udhëton drejt Maqedonisë për sfidën e kthimit. Takimi i parë i luajtur në “Elbasan Arena” ka përfunduar 2:1 për Shqipërinë. 

Shqipëria luajti me Berishën në portë, Agollin, Mavrajn, Ajetin dhe Hysajn në mbrojtje, mesfusha me Memushajn, Bashën dhe Abrashin, ndërsa në sulm treshja Grezda, Llullaku dhe Roshi. ​Armando Sadiku nuk u aktivizua asnjë minutë në këtë takim për shkak të gjendjes gripale, por pritet të jetë i gatshëm për ndeshjen me Maqedoninë. 

Pjesa e parë 0:0
Nuk ka gol në 45' minutat e para në "Elbasan Arena" të ndeshjes Shqipëri-Liechtenstein e vlefshme për grupin G të eleminatoreve të kupës së Botës "Rusi 2018".

Pjesa e parë e sfidës është mbyllur 0:0 pavarësisht se kuqezinjtë kanë dominuar takimin nga minuta e parë, duke bërë që kundërshtari të tërhiqet në mbrojtje.

Minutë pas minute nga ndeshja në "Elbasan Arena"

Ora 19: 50 Përfundon Shqipëri-Liechtenstein 2:0
Me fitoren ndaj modestëve të Liechtenstein, Shqipëria blindon vendin e tretë në Grupin G me 12 pikë. Pas tre ditësh, kuqezinjtë do udhëtojnë në drejtim të Strumicës për sfidën e kthimit me Maqedoninë.

Ora 19:42  86' Valon Ahmedi debuton me Shqipërinë, largohet Grezda
Sulmuesi i Maribor, Valon Ahmedi nga Ohri, debutoi me kombëtaren kuqezi. 

Ora 19:35  78' Goool. Kapiteni Ansi Agolli dyfishon shifrat
Kapiteni kuqezi ka shënuar një gol mjaft të bukur duke treguar se ka edhe një teknikë të lartë. Agolli merr një top në hyrje të zonës dhe lëshon një goditje me teknikë në drejtim të portës, duke mos i lënë asnjë shans reagimi portierit të Lihtenshtejnit


Ora 19:19  63' Agolli shënjestron portën, pret portieri Jehle
Gjuajtje e shkëlqyer e Agolli, por portieri bën mrekullinë, duke e dërguar topin në këndore 

Ora 19:11 53' Gol! Shënon Shqipëria me Odise Roshin, 1:0
Shqipëria ka kaluar në avantazh me golin e shënuar nga Roshi, i cili devijon drejt rrjetës një goditje të Migjen Bashës brenda zonës. Më në fund përpjekjet e lojtarëve tanë u konkretizuan me gol. 


(Momenti i golit, realizuar nga Odise Roshi)

Ora 19:00 Nis pjesa e dytë Shqipëri-Liechtenstein në "Elbasan Arena"
Në fushë zbresin të njëjtit lojtarë, nuk ka asnjë zëvendësim.

Ora 18:45 Mbyllet pjesa e parë me rezultatin 0:0
Nuk ka gol në 45 minutat e para në "Elbasan Arena". Ndeshja është mbyllur 0:0 pavarësisht se kuqezinjtë kanë dominuar takimin nga minuta e parë, duke mbyllur në portë kundërshtarin.

Ora 18:40 Mundësi e mirë për sulmuesin Llullaku
Sulmuesi Azdren Llullaku e ul topin në hyrje të zonës, por goditja e tij përfundon mbi traversë. Asnjë rrezik për portierin e miqve.

Ora 18:20 Kuqezinjtë mbyllin kundërshtarin te porta por mungon goli
Kalojnë 20 minuta dhe Shqipëria është dominuese, por goli ende nuk ka ardhur. Deri tani skuadra jonë më shumë ka tentuar të sulmojë në krahun e djathtë të sulmit me Roshin, por mbi të gjitha Hysaj, i cili është mjaft aktiv deri në këto minuta. Liechtenstein është tërhequr i gjithi në zonën e tij.

Ora 18:10 Numër i vogël tifozësh në stadium
Në ndryshim nga sfidat e tjera, këtë herë në “Elbasan Arena” është një numër më i vogël tifozësh.

Ora 18:00 Nis ndeshja Shqipëri-Liechtenstein në 'Elbasan Arena'
Shqipëria luan me Berishën në portë, Agollin, Mavrajn, Ajetin dhe Hysajn në mbrojtje, mesfusha përbëhet nga Memushaj, Basha dhe Abrashi, ndërsa në sulm treshja Grezda, Llullaku dhe Roshi. ​

Tifozët braktisin kombëtaren
Atmosfera në stadiumin "Elbasan Arena" ishte e vakët, pasi mungonin tifogrupet kryesore të kombëtares.

Mungesa e tifogrupeve të organizuara të cilët kanë bojkotuar ndjekjen e Kombëtares në ndeshjet e luajtura në shtëpi ka bërë që numri i tifozëve të jetë i pakët.

Gjatë javës ishte konfirmuar shitje e pakët e biletave por në orët para fillimit të ndeshjes është rritur kërkesa për blerjen e tyre kryesisht nga qytetarë të apasionuar pas kombëtares.
 
Grupi i tifozëve kuqezi ka bojkotuar këtë ndeshje për shkak të pakënaqësive ndaj Policisë dhe FSHF-së, ndërsa kanë njoftuar se do jenë të pranishëm në Strumicë për ndeshjen me Maqedoninë në 5 shtator.

Formacionet zyrtare
Shqipëria: Berisha, Hysaj, Ajeti, Mavraj, Agolli, Abrashi, Basha, Memushaj, Roshi, Grezda, Llullaku.
 
Trajner: Christian Panuçi
 
Lihtenshtejni: Jehle, Malin, Kaufman, Gopel, Kuintans, Byshel, Viser, Burgmaier, Hasler, Selanoviç, Frik.
 
Trajner: Rene Poritsh
 
Gjyqtar: Sergej Laposhkin

[gallery]23729[/gallery]

Skema e Panuccit, asnjë minutë për Sadikun
I privuar edhe nga disa mungesa si Sadiku (për shkak të gjendjes gripale) Balaj (për shkak dëmetimi) dhe Çikalleshit (për arsye disiplinore), sonte kuqezinjtë luajtën me një skemë sulmuese, por për herë të parë pa sulmues qendre. Grezda, Llullaku dhe Roshi përbënë ofensivën kuqezi ndaj Liechtenstein.

Në portë u rikthye Etrit Berisha pas një mungese të gjatë që prej daljes me karton të kuq në ndeshjen me Izraelin në "Elbasan Arena" në nëntor të vitit të kaluar. Prapavija u përbë nga Agolli dhe Hysaj në krah, ndërsa në qendër Mavraj e Ajeti. Në mesfushë startuan  titullarë Memushaj, Basha dhe Abrashi, të cilët ndihmuan treshen e sulmit, pavarësisht se sulmi nuk la shenjë.  

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Fluksi i emigrantëve për Vitin e Ri/ Hoxha inspekton Kakavijën: Greqia mori masa për lehtësim kalimi

Fluksi i emigrantëve për Vitin e Ri/ Hoxha inspekton Kakavijën: Greqia mori masa për lehtësim kalimi