Fillon viti Jubile! Papa Françesku hap Portën e Shenjtë të Bazilikës së Shën Pjetrit! Predikimi për Krishtlindje: Bota vuan, të ngremë zërin kundër së keqes

Papa Françesku ka hapur Portën e Shenjtë të Bazilikës së Shën Pjetrit, duke nisur zyrtarisht Jubileun që do të zgjasë deri më 6 janar 2026.

Ceremonia nisi me lutjet e para, pas të cilave Papa u largua për pak çaste dhe më pas u kthye në atriumin e Bazilikës. Me ndihmën e një pedane dhe duke qenë në karrocë, ai arriti te Porta e Shenjtë, ndërsa kori këndonte në latinisht: “Haec porta Domini…”, duke shpallur portën si vend hyjnor.

Papa qëndroi për disa sekonda në heshtje para Portës dhe e preku atë lehtë, duke shënuar fillimin e këtij akti simbolik. Porta u hap nga dy ndihmës brenda Bazilikës, ndërsa kambanat e Vatikanit nisën të bien në shenjë feste. Brenda Bazilikës ndodheshin rreth 6 mijë persona, ndërsa jashtë saj ishin mbledhur mbi 25 mijë besimtarë.

Pas hapjes së Portës së Shenjtë, Papa Françesku u drejtua te altari i rrëfimit të Shën Pjetrit për të kremtuar meshën e vigjiljes së Krishtlindjes. Në homelinë e tij, Papa theksoi rëndësinë e shpresës.

“Vëllezër dhe motra, me hapjen e Portës së Shenjtë kemi nisur një Jubile të ri: secili prej nesh mund të hyjë në misterin e këtij lajmi të hirit”, tha ai.

Ai e cilësoi natën e Krishtlindjes si momentin kur “porta e shpresës është hapur për botën”, duke i ftuar të gjithë të rigjejnë shpresën e humbur. Papa Françesku nënvizoi se është thelbësore të mbillet shpresa në “hidhërimet e kohës sonë”, duke iu referuar situatave të rënda si luftërat, vrasjet e fëmijëve dhe bombardimet mbi shkolla dhe spitale, përfshirë ato në Gaza.

“Ne, dishepujt e Zotit, jemi të thirrur të gjejmë në të shpresën tonë më të madhe dhe ta sjellim atë si pelegrinë drite në errësirën e botës,” tha Papa.

Ai bëri thirrje për një përkushtim konkret të besimtarëve në transformimin e botës, në mënyrë që ky të bëhet një kohë e vërtetë jubilare.

“Le të jetë një kohë hiri për Nënën Tokë, të dëmtuar nga logjika e fitimit; për vendet e varfra, të ngarkuara me borxhe të padrejta; për të burgosurit e skllavërive të vjetra dhe të reja,” theksoi ai.

Papa Françesku shtoi se Jubileu duhet të sjellë shpresë për ata që ndihen të lënduar, të tradhtuar apo të dështuar në jetë.

"Shpresa që lind në këtë natë nuk toleron përtacinë e atyre që janë mësuar me rehati dhe komoditete. Nuk pranon kujdesin e rremë të atyre që nuk marrin anë nga frika se mos kompromentohen dhe llogaritjen e atyre që mendojnë vetëm për veten, nuk e ngrenë zërin kundër së keqes dhe padrejtësive që bëhen mbi kurrizin e më të varfërve. shpresa e krishterë, ndërsa na fton të presim me durim Mbretërin , kërkon nga ne guximin përmes përgjegjësisë dhe dhembshurisë sonë" tha Papa. 

Ai veçoi vuajtjet e të burgosurve, jetën e vështirë të të varfërve dhe plagët e shkaktuara nga luftërat dhe dhuna, duke bërë thirrje për një përkushtim të gjithanshëm për t’u sjellë atyre shpresë. “Le të hyjmë në këtë Vit të Shenjtë me një angazhim të ri për të rindërtuar jetët e shkatërruara dhe për të ndriçuar errësirën e botës sonë,” përfundoi Papa.

K.M/I.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Roma: 25/12/2024 04:38

    Meqe rama nuk u ftua ne kete Jubile ne Shna Pjetro tregon mesazh me 12 maj rama nuk del me president di konsilio , vjen riciklim per jubilean e re , ky ishte mesazhi qudi nuk ish ftuar faktori shqiptar

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Aktivitetet kulturore/ ‘Arrëthyesi’, baleti emblematik i Krishtlindjes te Opera, dy shfaqje teatrore

Aktivitetet kulturore/ ‘Arrëthyesi’, baleti emblematik i Krishtlindjes te Opera, dy shfaqje teatrore