Papa Françesku u bëri thirrje të dielën hungarezëve që të jenë të hapur dhe mikpritës ndaj emigrantëve. Kreu i Kishës Katolike Romake po përfundonte vizitën e tij tre-ditore në vendin e Evropës Qendrore kur bëri deklaratën.
"Le të inkurajojmë njëri-tjetrin që të hapim dyert gjithnjë e më shumë. Dyert e mbyllura të egoizmit tonë në lidhje me të tjerët, dyert që i mbyllim ndaj atyre që janë të huaj ose të ndryshëm nga ne, ndaj emigrantëve apo të varfërve"- u shpreh Papa Françesku.
![]()
Të dielën, rreth 50,000 njerëz u mblodhën për të dëgjuar Papën duke thënë meshën nën masa të rrepta sigurie në sheshin Kossuth Lajos, prapa parlamentit në brigjet e Danubit, shkruajnë mediat e huaja.
Deklarata e Papës merr një rëndësi të veçantë duke pasur parasysh edhe deklaratat e kryeministrit hungarez Viktor Orban i cili miratoi një qëndrim të ashpër ndaj imigracionit. Në një intervistë të vitit 2018, Orban iu referua refugjatëve myslimanë si pushtues myslimanë që krijojnë shoqëri paralele.
"Ne nuk i shohim këta njerëz si refugjatë myslimanë. Ne i shohim ata si pushtues myslimanë. Ne besojmë se një numër i madh i muslimanëve çon në mënyrë të pashmangshme në shoqëri paralele, sepse shoqëria e krishterë dhe ajo myslimane nuk do të bashkohen kurrë." Multikulturalizmi, tha ai, "është vetëm një iluzion".
Pasi Bashkimi Evropian e detyroi Budapestin të mbyllte të ashtuquajturat zona të tranzitit kufitar që Brukseli i quajti 'kampet e paraburgimit', vendi ka pranuar vetëm aplikimet e azilkërkuesve në ambasadat hungareze jashtë vendit, gjë që ka ngadalësuar numrin e azilkërkuesve.

