Gjatë fluturimit papnor, kur sapo u largua nga Metzi në Francë drejt Vatikanit, Papa Leone XIV zhvilloi një intervistë me gazetarët në avion, teksa gjatë përgjigjeve alternonte anglishten me spanjishten.
Në qytetin e Robert Schumanit, një prej etërve themelues të Evropës, Papa amerikan i kujtoi BE-së se si dhe pse lindi ajo, pas dy luftërave botërore: deklaratën e ministrit të atëhershëm të Jashtëm francez, i cili më 9 maj 1950 i propozoi Gjermanisë që prodhimi i qymyrit dhe çelikut, thelbësor për industrinë e armatimeve, të vihej nën kontrollin e një “Autoriteti të Lartë” të përbashkët, për ta bërë një konflikt të ri “të paimagjinueshëm” dhe “materialisht të pamundur”. Në këtë marrëveshje u bashkuan edhe Italia, Holanda, Belgjika dhe Luksemburgu, bërthama fillestare e Bashkimit Evropian të ardhshëm.
E megjithatë, “sot lufta është rikthyer, edhe në Evropë: një tjetër “masakër e kotë” që çdo ditë shkakton viktima të panumërta civile”, tha Prevost, duke cituar shprehjen e Benediktit XV, i cili në vitin 1917 u përpoq më kot të ndalte Luftën e Madhe.
Pikërisht për këtë ai e përfundoi udhëtimin në Francë në Metz: në një botë ku “marrëdhëniet njerëzore dhe ato mes shteteve po bëhen gjithnjë e më barbare”, shtoi ai, “e drejta ndërkombëtare dhe multilateralizmi përbëjnë kundërhelmin më të mirë ndaj vullnetit për dominim, i cili qëndron në origjinën e çdo konflikti”.
Duke iu rikthyer rrënjëve dhe vlerave të veta, Evropa mund të jetë një model. Por duhet “të ruhet nga iluzioni i riarmatimit”. Përkundrazi, duhet “të tregojë guxim në negociata dhe të jetë e gatshme të sakrifikojë disa qëndrime për të mirën më të madhe të paqes”.
-Ati i Shenjtë, konflikti në Evropë është mes Rusisë dhe Ukrainës. Çfarë kishit parasysh? Dhe si mund të flitet me një shtet që sulmon, bombardon dhe kërcënon jo vetëm Ukrainën, por edhe vende të tjera evropiane?
Papa Leone XIV: Para së gjithash, parimet e doktrinës sociale promovojnë mosdhunën, të drejtën dhe çarmatimin, përballë rreziqeve që ekzistojnë në botën e sotme, përfshirë ato që vijnë nga disa liderë shtetesh që kanë filluar sërish të flasin për armë bërthamore, për luftëra gjithnjë e më shkatërruese. Të vazhdojmë të armatosemi, të shpenzojmë në atë industri të tmerrshme ushtarake që prej kohësh pasuron jashtëzakonisht shumë një pakicë të privilegjuar, përmes një industrie që nxit luftën, kur me këto miliarda e miliarda euro ose dollarë mund të zgjidheshin probleme si uria në botë, mungesa e banesave, papunësia… Armët nuk bëjnë gjë tjetër veçse ushqejnë gjithnjë e më shumë tensionin, i cili mund të çojë në shpërthimin e një lufte tjetër, të një konflikti tjetër. Dhe shohim se dhuna, të cilën ato fuqi përpiqen gjithmonë ta imponojnë me forcë në vend që të dialogojnë dhe të nxisin negociatat për dallimet që natyrshëm ekzistojnë, na bën gjithnjë e më të bindur se do të ketë një luftë ose disa luftëra, konflikte në të cilat kontribuojmë në botën e sotme. Nuk e di për të tjerët, dhe kjo nuk është çështje të jesh apo të mos jesh politikan, por nevojitet një zë që përpiqet të promovojë vlerat e dinjitetit njerëzor, rëndësinë e jetës, mundësinë për të shpenzuar ndoshta më shumë për shëndetësinë dhe arsimin dhe më pak për armët. Besoj se Kisha ka përgjegjësinë t'i promovojë këto vlera, duke i ftuar vazhdimisht liderët, si ata të Rusisë dhe Ukrainës, apo të vendeve të tjera, të vijnë, të ulen, të dialogojnë dhe të kërkojnë mënyrën se si t'i zgjidhin ato probleme pa vazhduar këto luftëra që tashmë nuk kanë më kuptim. Me këtë frymë, Kisha vazhdon ta ngrejë zërin. Ne nuk mund të detyrojmë. Por do të vazhdojmë të shpallim Ungjillin.
-Sa i shqetësuar jeni se inteligjenca artificiale mund të përbëjë një rrezik katastrofik për njerëzimin, apo edhe ta zhdukë plotësisht atë? Dhe çfarë duhet të bëjnë shtetet, veçanërisht Shtetet e Bashkuara dhe Kina, për të garantuar që teknologjitë e tyre të jenë të sigurta për njerëzimin?
Papa Leone XIV: Nëse dikush do të më pyeste: “A jeni në panik?”, do të përgjigjesha: “Jo, nuk jam. Natën fle i qetë”. Megjithatë, mendoj se shqetësimet e ngritura nga shumë ekspertë të fushës, specialistë të inteligjencës artificiale, duhet të merren seriozisht. Nuk besoj se bëhet fjalë për lajme të rreme, siç kanë pretenduar disa, për të nxjerrë ndonjë përfitim, qoftë financiar apo të një lloji tjetër. Është interesante të vërehet se pikërisht sot lexova se drejtuesi i Nvidia-s pretendon se ka gjetur një mënyrë për të vendosur në inteligjencën artificiale një lloj pengese sigurie, nëse mund ta quajmë kështu, ose disa kufizime, në mënyrë që ajo të mos dalë jashtë fushave të saj specifike dhe të shkaktojë dëmet për të cilat po flitet. Por bëhet fjalë për të njëjtin person që pretendon se nuk duhet të ketë kufizime apo rregullime qeveritare, e kështu me radhë. Ky është një problem për të cilin, sipas mendimit tim, duhet të ulemi dhe të diskutojmë. Duhet të vazhdojmë t'i ftojmë liderët politikë, drejtuesit e sektorit të inteligjencës artificiale, organizatat shoqërore dhe shoqatat që të mblidhen së bashku për të shqyrtuar atë që po ndodh tashmë dhe atë që mund të ndodhë në të ardhmen. Thjesht të thuash: “Oh, kjo nuk do të ndodhë”, dhe të mbyllësh sytë përballë gjithë kësaj, mendoj se ndoshta nuk është mënyra më e përgjegjshme për ta trajtuar këtë çështje. Vatikani ka krijuar komisionin e vet për inteligjencën artificiale. Por që nga publikimi i Manifica Humanitas, kemi marrë shumë kërkesa nga njerëz që vijnë nga fusha dhe sektorë të ndryshëm, dhe për këtë arsye po përpiqemi të vazhdojmë të nxisim dialogun, studimin dhe kërkimin, për të gjetur mënyra që të garantojmë se inteligjenca artificiale të mos arrijë në pikën ku mund ta shkatërrojë njerëzimin ose ta përjashtojë atë nga debati. Jam relativisht optimist se kjo mund të arrihet. Mendoj se ka mjaft njerëz që janë seriozisht të interesuar për këtë çështje dhe të gatshëm ta trajtojnë atë përtej çështjeve që lidhen, edhe një herë, me pushtetin, me atë se kush arrin i pari, e kështu me radhë.
-Ishim në Metz, shumë pranë kufirit gjerman. A do të shkoni në Gjermani? Dy zhvillime ndoshta ju shqetësojnë edhe ju: rënia e vazhdueshme e Kishës Katolike dhe ngritja e habitshme e partive ekstremiste, të cilat kërcënojnë të shkatërrojnë konsensusin për Evropën, për të cilin folët sot në Metz.
Papa Leone XIV: E di që shifrat janë në rënie, por në të kaluarën është thënë e njëjta gjë për Francën dhe megjithatë pamë se çfarë ndodhi gjatë katër ditëve të fundit. Nëse rigjejmë shpirtin e vërtetë misionar dhe mënyrën e duhur për të vepruar, besoj se ka ende shumë njerëz në Gjermani që duan ta jetojnë dhe ta kremtojnë fenë e tyre të krishterë dhe katolike. Prandaj jam optimist për këtë, edhe pse i njoh problemet. I njoh shkaqet e ndryshme që e kanë goditur rëndë Kishën, por që kanë goditur, nëse mund të shprehemi kështu, edhe Kishën ungjillore ose protestante në mënyrë shumë të fortë, dhe kanë prekur shoqërinë pak a shumë në të njëjtën mënyrë. Do të ishte interesante të studiohej dhe të analizohej nëse dhe në ç’mënyrë mund të ketë një lidhje, për shembull, me rritjen e këtyre grupeve të ekstremit të djathtë. Edhe e djathta ekstreme po përçahet tani, siç mund të shihet, ndërsa në të njëjtën kohë vërehet një lloj ndërthurjeje të këtyre pikëpamjeve të ekstremit të djathtë me një lloj të veçantë feje, e cila, jo vetëm sipas mendimit tim, por edhe sipas drejtuesve të Kishës Katolike dhe asaj Protestante në Gjermani, nuk është një shprehje autentike e krishterimit. Dhe përsëri mund t’u kthehemi vlerave të Ungjillit, të cilat nuk kanë të bëjnë me urrejtjen dhe përçarjen, por me mirëkuptimin, dhembshurinë dhe shoqërimin. Shpresoj thellësisht, dhe shpresoj që edhe Kisha të mund të jetë pjesë e kësaj, se mund të gjenden mënyra për t’iu drejtuar shumicës së njerëzve me vullnet të mirë, të cilët do ta kuptojnë se sa i rëndësishëm është angazhimi i tyre, edhe në drejtim të pjesëmarrjes në proceset politike, në mënyrë që ata të mund të bëjnë zgjedhje të qarta për të mirën e përbashkët dhe jo në favor të ideve ekstremiste, të cilat ndoshta do të shkaktojnë dëme shumë më të mëdha nga sa jemi aktualisht të vetëdijshëm. Prandaj mendoj se të gjithë do të jemi një burim inkurajimi në këtë drejtim.
-Gjatë një konference për shtyp, viktimat që takuat na thanë se ju kishit pranuar karakterin sistematik të abuzimeve seksuale në Kishë. A është vërtet kështu? A mund ta shpjegoni qëndrimin tuaj lidhur me këtë? A mendoni se abuzimet seksuale në Kishë kanë karakter sistematik?
Papa Leone XIV: Personalisht preferoj ta shpreh ndryshe. Kam folur për disa organizata brenda Kishës që ndonjëherë, si të thuash, në mënyrë sistemike, janë bërë përgjegjëse për abuzime. Por mendoj se është e rëndësishme të bëhet ky dallim. Abuzimi seksual është para së gjithash një problem njerëzor. Kur ndodh brenda Kishës, ai merr në të vërtetë një dimension krejtësisht tjetër, sepse jeta e besimit të njerëzve plagoset thellësisht dhe ndonjëherë madje shkatërrohet. Prandaj Kisha ka një përgjegjësi të veçantë për t’i shoqëruar dhe për t’i ndihmuar ata të kërkojnë shërimin. Në këtë kuptim, kam folur me ta për mënyrën se si Kisha është parë si përgjegjëse, por në të njëjtën kohë është edhe një pjesë e rëndësishme e përpjekjes për t’i ndihmuar ata të gjejnë shërimin.
-Në Lourdes deklaruat se ajo që është e ligjshme nuk është domosdoshmërisht morale. Kjo ishte një referencë e qartë ndaj legalizimit të fundit të eutanazisë në Francë. Në Francë kemi gjithashtu parimin e laicitetit, pra ndarjen midis fesë dhe politikës. A mendoni se është e rëndësishme që kjo vijë ndarëse, ky kufi, të tejkalohet në emër të përparësisë së ndërgjegjes dhe, nëse po, a e keni tejkaluar ju këtë kufi?
Papa Leone XIV: Do të thosha se, sipas interpretimit që Kisha i jep ndarjes midis Kishës dhe politikës ose midis Kishës dhe shtetit, unë nuk e kam tejkaluar atë. Për këtë çështje, ju ftoj të lexoni ose rilexoni Magnifica humanitas, ku flas për doktrinën sociale të Kishës dhe them se, kur Kisha flet për mbrojtjen e jetës, kur trajton çështje të doktrinës sociale, ne nuk po hyjmë në politikë, por po zbatojmë Ungjillin në jetën e njerëzve. Mbrojtja e jetës është diçka që, siç e dini të gjithë, Kisha e mëson dhe në të cilën beson thellësisht. Natyrisht e dija se në Francë ishte miratuar së fundmi një ligj dhe se në vende të tjera evropiane, si edhe në pjesë të tjera të botës, po diskutohet shumë për çështjet që lidhen me fundin e jetës. Por, duke qenë në një vend si Lourdes, ku njerëzit kërkojnë diçka shumë më të thellë dhe kuptojnë se jeta e tyre, edhe mes sëmundjes, aftësisë së kufizuar apo dhimbjeve të llojeve të ndryshme, ka një kuptim, Kisha, në emër të vetë Jezusit, dëshiron të jetë pranë këtyre njerëzve dhe të pohojë vlerat që, besoj, vetë jeta i përmban për të gjithë ne. Prandaj do të thosha se, nëse kjo është politikë, atëherë po, e kam bërë, por jo për t’u përzier në politikën franceze. E kam bërë për të mësuar atë në të cilën Kisha beson vërtet.
-Në Spanjë ka shkaktuar indinjatë të madhe rasti i një gruaje 86-vjeçare, e cila u dëbua nga shtëpia ku jetonte në Madrid, sepse qiraja iu rrit pesëfish. Çfarë mendoni për problemin e strehimit, i cili ekziston në të gjithë botën, dhe për qytetet që dëbojnë ata që nuk janë të pasur?
Papa Leone XIV: Nuk e njoh rastin për të cilin po flisni, por më duket se është një rast në të cilin banorët, komuniteti, famullia, dioqeza ose shteti duhet të ndërhyjnë për të pyetur veten se si është e mundur të ndodhë një rast i tillë. Cili është problemi në sistem që lejon që një i moshuar me aftësi të kufizuara ose në vështirësi të largohet nga shtëpia e tij? Problemi i strehimit, i cili sot ekziston në shumë vende, është një problem që një famulli e vetme, një dioqezë e vetme apo vetë Kisha nuk do të mund ta zgjidhin. Por besoj se këtu kemi një sfidë të madhe, për të cilën ndoshta duhet t’u kërkojmë edhe drejtuesve politikë dhe autoriteteve të përpiqen të gjejnë një zgjidhje, sepse problemi po rritet dukshëm. Shpesh reagojmë vetëm në momente emergjence, por duhet të kuptojmë se cili është në të vërtetë shkaku sistemik i këtij problemi dhe si ta trajtojmë atë./Corriere










Komente
Komento