Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, tha të hënën se mënyra se si ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, u soll me homologun e vet gjerman, Johann Wadephul, pas takimit të tyre rishtazi në OKB, tregon se Rusia nuk është e interesuar për paqe në Ukrainë.
Takimi i 26 shtatorit mes Lavrovit dhe Wadephulit u zhvillua në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork dhe ishte takimi i parë mes ministrave të Jashtëm të Gjermanisë dhe Rusisë që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Moska, në fillim të vitit 2022.
Si në fjalimin e tij në Kombet e Bashkuara më vonë atë ditë, ashtu edhe në një konferencë pasuese për media, Lavrovi u tall me takimin me Wadephulin dhe hodhi poshtë thirrjet e Gjermanisë për ndalimin e sulmeve ndaj Ukrainës, të cilat ditët e fundit kanë shkaktuar viktima të shumta në mesin e civilëve.
“Ka shumë vende jashtë Evropës që thonë: ‘Flisni me rusët dhe pastaj do të ketë rezultat (në Ukrainë)’”, tha Kallas, duke iu referuar sjelljes së Lavrovit.
“Por kjo bisedë [mes Wadephulit dhe Lavrovit] tregon se Rusia me të vërtetë nuk është aspak e interesuar për paqe. Përndryshe, nuk sillet në këtë mënyrë me bashkëbiseduesin e vet”, tha ajo.
Kallas tha se gjatë takimit Wadephuli kishte ngritur nevojën për shtensionimin e luftës në Ukrainë, si dhe sulmet hibride në Evropë.
Në fillim të shtatorit, Berlini e fajësoi Rusinë për incidente me dronë që në gusht shkaktuan ndërprerjen e trafikut në aeroportin e Lajpcigut.
Duke i hedhur poshtë thirrjet për shtensionim, Lavrovi këmbënguli se luftimet “do të vazhdojnë deri në fund”.
Ai e akuzoi Berlinin se është mbështetësi kryesor i Ukrainës dhe se po përpiqet të bëhet sërish fuqi ushtarake udhëheqëse në Evropë.
“A e kupton Berlini se ku mund të çojë kjo?”, pyeti ai në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, duke shtuar: “A nuk i kanë mësuar ata mësimet e Luftës së Dytë Botërore?”
Ai tha gjithashtu se Moska do të vendoste veto ndaj çdo përpjekjeje të Gjermanisë për të siguruar një ulëse të përhershme në Këshill të Sigurimit të OKB-së, nëse ky institucion, organi më i fuqishëm i Kombeve të Bashkuara, do të zgjerohej./ REL








Komente
Komento