Papa Leoni XIV është takuar sot në Vatikan me ipeshkvijtë dhe administratorët dioqezanë të Shqipërisë, të cilët i kanë kërkuar të zhvillojë një vizitë në vendin tonë.

Takimi u mbajt në një audiencë private dhe zgjati më shumë se një orë. Në emër të përfaqësuesve shqiptarë foli Gjergj Meta, ipeshkëv i Rrëshenit dhe president i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, i cili i përsëriti Papës ftesën për të ardhur në Shqipëri.

“Fort i Lumturi Atë, përtërijmë ftesën tonë për ta vizituar Shqipërinë. Nëna e Këshillit të Mirë Ju pret me përqafimin e saj dhe është asaj që ia besojmë shërbesën Tuaj dhe tonën si barinj. Na bekoni ne dhe Kishat tona! Ne Ju sigurojmë lutjet tona” tha Imzot Gjergj Meta.”

Gjatë bisedës, ipeshkvijtë e njohën Papën me gjendjen e Kishës Katolike në Shqipëri, si dhe me sfidat dhe shqetësimet me të cilat përballet. Gjergj Meta foli edhe për historinë e katolikëve shqiptarë, duke kujtuar periudhat e përndjekjes, varfërisë dhe izolimit.

Ai i përcolli Papës përshëndetjet e besimtarëve katolikë, të shqiptarëve të besimeve të tjera dhe të drejtuesve fetarë në vend.

Në takim u prekën edhe çështjet e luftës dhe paqes, ndërsa Meta falënderoi Papën për mesazhet e tij kundër konflikteve. Ai vlerësoi gjithashtu qëndrimet e Papës për dinjitetin njerëzor dhe ndikimin e inteligjencës artificiale.

Ipeshkvijtë shqiptarë i dhuruan Papa Leonit XIV një ikonë të Zojës së Këshillit të Mirë, të realizuar nga një artist shqiptar, një libër për martirët shqiptarë dhe një pëlhurë tradicionale zadrimore.

Takimi i sotëm u zhvillua në kuadër të vizitës “Ad Limina Apostolorum”, që drejtuesit e Kishës Katolike bëjnë zakonisht çdo pesë vjet në Vatikan.