Ajo që mbijeton nëpërmjet besimit, është një trashëgimi që vazhdon të jetojë. Me këtë mesazh, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj iu drejtua të gjithë të pranishmëve në ceremoninë e 35 vjetorit të rihapjes së Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, ku u festua 15-vjetori i drejtimit të saj nga Baba Mondi, si dhe 11-vjetori i inaugurimit të kompleksit kulturor botëror.

“Por përtej datave dhe përvjetorëve, kjo ditë mbart një kuptim më të thellë. Ajo është një dëshmi se institucionet shpirtërore mund të mbijetojnë edhe përtej tronditjeve të historisë, nëse mbështeten mbi kujtesën, besimin dhe vullnetin e njerëzve që i mbajnë gjallë. Dhe në qendër të këtij kapitulli qëndron një ide e thjeshtë, por e fuqishme: ajo që mbijeton nëpërmjet besimit, kujtesës dhe përkushtimit nuk është thjesht një institucion; është një trashëgimi që vazhdon të jetojë”, tha Baba Mondi.

Ndërsa u ndal te vlerat e bektashizmit, kreu Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu tha se besimi nuk ndërton mure mes njerëzve, por ura.

“Besimi nuk është vetëm marrëdhënie me Zotin, ai shfaqet edhe në mënyrën se si sillemi me tjetrin, si trajtojmë të ndryshmin, si e mbrojmë të dobëtin dhe si kontribuojmë për të mirën e përbashkët. Prandaj dialogu ndërfetar nuk duhet të jetë vetëm një takim protokllar i institucioneve fetare, ai duhet të jetë kulturë shoqërore. Nuk ushqen përçarjen, por respektin, nuk e mbyll njeriun në vetvete, por e fton atë të shohë tjetrin me dinjitet dhe mirësi”, tha Bujar Spahiu.

Nga kisha ortodokse Autoqefale e Shqipërisë mesazhi u dha nga At Aleks Ndoni.

“Marrëdhëniet ndërmjet Kishës Autoqefale të Shqipërisë dhe komunitetit bektashi janë karakterizuar nga komunikimi i vazhdueshëm dhe I hapur.’’ Bindja fetare nuk duhet të shndërrohet në arsye përçarje, urrejtje apo dhune ndaj tjetrit. Paqja fetare nuk ndërtohet, duke heshtur për dallimet, por duke mos lejuar që dallimet të bëhen mure armiqësie. Kjo përgjegjësi bëhet më e madhe sot, kur gjuha e urrejtjes dhe përçarja përhapet me shpejtësi sidomos mes të rinjve”, tha At Aleks Ndoni.

Në fjalën e tij, ipeshkvi I Rrëshenit, Dom Gjergj Meta tha se solidariteti dhe dialogu është thelbi i njeriut dhe pa këto dy cilësi nuk mund të jetohet.

“Në qoftëse brenda familjes nuk ka dialog, nuk do të ketë as jashtë. Nëse brenda familjes nuk ka solidaritet nuk do të ketë as jashtë. Komunitetet tona në shumë raste kanë theksuar rolin e rëndësishëm të familjes sepse aty zhvillohen farat e para”, tha Dom Gjergj Meta.

Ky 35 vjetor jubilar mblodhi në një tryezë të përbashkët përfaqësues të lartë të institucioneve shtetërore, trupit diplomatik, komuniteteve fetare, akademisë, kulturës, së bashku me përfaqësues të Gjyshatave dhe teqeve Bektashiane nga Shqipëria dhe diaspora.