Papandreu, apel Metës e Ramës:
Bashkohuni, mundësi historike

Papandreu, apel Metës e Ramës:<br />Bashkohuni, mundësi historike
TIRANE- Shtohen thirrjet e ndërkombëtarëve për bashkimin e Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim në prag të zgjedhjeve të 23 qershorit. Apeli këtë herë vjen nga Presidenti i Internacionales Socialiste, Jorgos Papandreu.

Në cilësinë e Presidentit të internacionales, Papadreu i bën thirrje Edi Ramës e Ilir Metës të marrin në konsideratë në mënyrë serioze bashkëpunimin mes forcave të tyre, duke patur parasysh zgjedhjet e qershorit 2013 që po afrojnë.

“Pavarësisht dallimeve, sot sfida e vërtetë është krijimi i një fronti të bashkuar progresist. Bashkimi mund të sjellë fitoren dhe fitorja mund të sjellë shpresë dhe ndryshim. Dëshira ime është që të dy ju, të dashur Edi dhe Ilir, ta shfrytëzoni këtë mundësi historike.”- shkruan në mesazhin e tij Papandreu duke garantuar se “se do të keni mbështetjen e plotë të të gjithë familjes sonë progresiste në përpjekjen e vështirë dhe të guximshme drejt përmbushjes së synimeve dhe vlerave tona të përbashkëta.”

Po sot kryetari i LSI-së Ilir Meta zhvilloi takim me kryeministrin Berisha dhe më pas në hotel Rogner zhvilloi takime të veçanta me anëtarë të kryesisë së LSI-së, si Ylli Manjani, Nasip Naço, Luan Rama por dhe me kryetarin e Partisë Demokracia Sociale, (aleate e PS-së) Paskal Milo si dhe me kreun e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule.

“Sot është 1 prill dhe si 1 prill nuk ka vlerë të bëjmë ndonjë deklaratë sepse nuk e di sa të besueshme do të jenë, ne kemi vazhdimisht takime dhe takimet janë konstruktive”- tha Meta pas takimit duke shtuar se qëndrimet e zyrtarëve të lartë të eurosocialistëve do të vlerësohet nga vetë forumet e LSI-së.

Pak më vonë burime zyrtare brenda grupit PS-së konfirmuan për tv "A1 Report!" arritjen e një marrëveshjeje sipas së cilës PS do të votojë 3 ligjet e integrimit ndërkohë që LSI do të largohet nga qeveria dhe do bashkohet me socialistët në zgjedhjet e 23 qershorit.  Kreu i PS-se  Edi Rama do të mbledhë kryesinë e partisë neser nga ku sipas të gjitha gjasave do të publikohet propozimi konkret i socialistëve për LSI, e cila prej 4 vjetësh bashkëqeveris me demokratët. Si këmbim të votave për statusin e nënpunësit civil, gjykatën administrative dhe reformën parlamentare, LSI do t'i bashkohet socialistëve në betejën për një fitore pas 8 vjetësh pushteti të demokratëve nën drejtimin e Kryeministrit Berisha.  Takimet intensive sot 1 prill
 

MESAZHI I PAPANDREUT


"Në cilësinë e Presidentit të Internacionales Socialiste dëshiroj t’ju bëj një thirrje, Zëvendës Presidentit tonë dhe njëherazi Kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama si dhe Kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. U bëj thirrje të dyve për ta konsideruar në mënyrë serioze bashkëpunimin mes forcave të tyre, duke patur parasysh zgjedhjet e qershorit 2013 që po afrojnë.

Pavarësisht dallimeve, sot sfida e vërtetë është krijimi i një fronti të bashkuar progresist. Ky front i bashkuar progresist do t’i mundësojë vendit ndërmarrjen e reformave të nevojshme për të garantuar një shoqëri më të ndershme me institucione demokratike, transparencë dhe llogaridhënie. Këto reforma janë të nevojshme qoftë për të siguruar statusin e vendit kandidat për Shqipërinë dhe rrugën e saj drejt Bashkimit Europian, qoftë për të garantuar liri dhe drejtësi për të gjithë qytetarët e Shqipërisë.

Për të konsoliduar demokracinë në Shqipëri nevojiten zgjedhje të lira e të ndershme dhe një shumicë e re qeverisëse që të jetë e vendosur dhe e gatshme për të garantuar sundimin e ligjit. Kjo është e rëndësishme jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Ballkanin, për Europën dhe më gjerë.

Në këto kohë sfidash dhe krize ekonomike, progresistët, socialistët dhe socialdemokratët kanë përgjegjësinë të garantojnë që interesat e njerëzve të dëgjohen dhe shihen si prioritet, duke garantuar një funksionim transparent të qeverisjes dhe institucioneve demokratike.

Bashkimi mund të sjellë fitoren dhe fitorja mund të sjellë shpresë dhe ndryshim. Dëshira ime është që të dy ju, të dashur Edi dhe Ilir, ta shfrytëzoni këtë mundësi historike.

Mund t’ju garantoj se do të keni mbështetjen e plotë të të gjithë familjes sonë progresiste në përpjekjen e vështirë dhe të guximshme drejt përmbushjes së synimeve dhe vlerave tona të përbashkëta.

Mesazhi i presidentit të Internacionales vjen pas apelit të bërë nga Zëvendëspresidenti i parë Parlamentit Europian,  Giovani Pitella dhe Presidenti i Partive Socialiste Europiane  Sergei Stanishev.

(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Nëntor, 23:23

    A po japin rezultat protestat e PD-së?



×

Lajmi i fundit

I mërzitur dhe me prerje në fytyrë e kokë, habit Guardiola: Doja të lëndoja veten

I mërzitur dhe me prerje në fytyrë e kokë, habit Guardiola: Doja të lëndoja veten