Lajmi konfirmohet nga burime të Shqiptarja.com pranë Ministrisë së Kulturës, ndërsa vendimi është firmosur nga ministrja Mirela Kumbaro gjatë pasdites së kësaj të marte.
Mësohet se motivacioni i shkarkimit të Drejtorit të Muzeut ka qenë thyerja e disiplinës në punë në mënyrë të përsëritur.
"Për mosrespektim të përsëritur të marrëdhënies së punës, duke shkaktuar dëm institucional dhe duke cenuar rëndë parimin e përgjegjshmërisë dhe mirëbesimit institucional", thuhet në motivacionin e shkarkimit të Melsi Labit. `
Shkarkimi i Labit vjen pas akuzave të tij në adresë të ministres së Kulturës Mirela Kumbaro se mbështet muzetë privatë, në vend që të financojë Muzeun Historik Kombëtar, akuza të cilat u hodhëm poshtë nga Ministria e Kulturës.
Labi akuzoi Kumbaron se ka dhënë miliona € për muzetë privatë
Një ditë më parë, ish-drejtori i Muzeut, Melsi Labi ka akuzuar Ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro, se nuk mbështet Muzeun Kombëtar por ka favorizuar me miliona euro muzetë privatë, duke përmendur instalacionin artistik Bunk'Art.
Sipas tij, është detyrë e Ministrisë ta mbajë dhe financojë Muzeun Kombëtar, pasi janë paratë e taksapaguesve.
"Na kanë futur në një betejë për mbijetesë. Ndërkohë harxhohen miliona euro në hapjen e muzevumeve si Bunk’arti etj., ku privati merr lekët dhe i fut në xhep. Ndërsa këto pasuri kombëtare që i kemi, nuk i ruajmë. Është detyrë e ministrisë ta mbajë Muzeun, sepse janë lekët e taksapaguesve", ka deklaruar Labi në një intervistë për mediat.
Akuza këto të cilat u hodhën poshtë si të pabaza nga Ministria e Kulturës.
Ndërsa në një reagim të tij për Shqiptarja.com, Melsi Labi u shpreh se sulmet ndaj Kumbaros kanë qenë sajesa të portaleve, duke u distancuar kështu nga akuzat.
Melsi Labi: S'kam akuzuar Kumbaron, as Bunk'Art-in
'Unë s'kam akuzuar as ministren e Kulturës, aq më pak Bunk'Art-in, për vjedhje e shpërdorim parash. Kjo është një sajesë e një portali online, që pastaj është përhapur në shumë media të tjera. Kam provuar ta përgënjeshtroj, por ishte gati e pamundur''.
Kështu është shprehur sot ish-drejtori i Muzeut Kombëtar, Melsi Labi, kontaktuar nga Shqiptarja.com për të komentuar lajmin mbi shkarkimin nga detyra të firmosur sot nga ministrja Mirela Kumbaro.
Dje faqja ëeb “dritare.net” e gazetares Rudina Xhunga kishte botuar disa deklarata të Melsi Labit me akuza të rënda ndaj ministrisë së Kulturës, që sipas saj, në vend që të financonte Muzeu Kombëtar, ''mbush me miliona euro xhepat e muzeve privatë si Bunk'Art''.
Media të lidhura me PD e kanë përdorur këtë deklaratë për të akuzuar edhe një herë kuratorin e Bunk'Art, Carlo Bollino, për përfitime miliona euro, një lajm totalisht i sajuar.
Sot Melsi Labi është distancuar nga këto akuza: ''Nuk kam akuzuar askënd dhe po kërkoj një takim me ministren Kumbaro për të sqaruar edhe me të këto spekulime''.
Melsi Labi është vëllai i ish-nëndrejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Iljaz Labi, i cili ndodhet në gjykim për shkak të akuzave të korrupsionit.
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com