EREVAN - Presidenti i Republikës Greke, Karolos Papulias kërkoi që Turqia të njohë Republikën e Qipros si shtet anëtar i Bashkimit Europian.
"Marrëdhëniet e Turqisë me Bashkimin Europian kalojnë nga Nikosia", deklaroi Papulias, i cili ndodhet në Erevan, ku po zhvillon vizitë zyrtare. Papulias u takua me homologun e tij armen, Serzh Sargisian.
Papulias nënvizoi se Greqia mbështet prosecin e zgjidhjes përfundimtare të problemit qipriot.
"Megjithatë ne nuk mbështesim çfarëdo zgjidhjeje, por një zgjidhje që respekton parimet e shtetit të së drejtës dhe të të drejtave të njeriut. Një zgjidhje që pajtohet me vlerat komunitare dhe vendimet e Këshillit të Sigurimit të OKB për Qipron", theksoi Papulias.
Ai iu referua edhe fqinjësisë së mirë në drejtim të vendeve të Ballkanit Perëndimor duke përmendur faktin se "anëtarësimi në Bashkimin Europian është një objektiv strategjik i politikës së jashtme greke"./ATSh/.