Ligji i “Marrëveshjes së Paqes Fiskale’, mori bekimin edhe të presidentit të vendit Bajram Begaj, dhe tashmë duhet që brenda 3 muajsh të plotësohet me aktet nënligjore nga Ministria e Financave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.
Ky ligj parashikon lidhjen e një marrëveshje mes bizneseve të mëdha dhe tatimeve për të negociuar fitimin. Më konkretisht bizneset këtë vit mund të hyjnë në marrëveshje me tatimet duke negociuar fitimin bazuar në bilancin e vitit 2025. Fitimit të realizuar në 2025-ën i shtohet një marzh prej 18%, dhe çdo lek mbi këtë tavan tatohet me 5% dhe jo me 15% që është tatimi mbi fitimin për sipërmarrjen e madhe.
Pra një subjekt me 200 mijë euro fitim vjet, i shtohet 18% ose 36 mijë euro, dhe çdo e ardhur mbi 236 mijë euroshin nuk tatohet më me 15% por me 5%.
Gjithashtu kush hyn në marrëveshje ka të drejtë të korrigjojë pasqyrat financiare të 3 viteve të mëparshme, duke rritur deklarimet deri me 30%, të cilat i nënshtrohen një tatimi me 5% dhe jo 15%, duke shmangur deklarimin e burimit të të ardhurave.
Ky ligj është kundërshtuar që kur mbërriti në kuvend me argumentin që lejon pastrimin e parave, shqetësim që e ka ngritur edhe vetë Komisioni Evropian, por nisma u miratua pa asnjë ndryshim.
Në një përgjigje për Report TV, Komisioni Evropian thekson se pret që institucionet shqiptare të bllokojnë dyert që lënë hapësira për pastrimin e parave, shqetësime që i ka ngritur edhe në diskutimet me vetë institucionet.
“Komisioni theksoi shqetësimet që lidhen me dekurajimin e përmbushjes së detyrimeve tatimore dhe ritheksoi nevojën për përfshirjen e masave të forta mbrojtëse kundër pastrimit të parave në këtë propozim, si dhe vijimin e angazhimit për reduktimin e numrit të madh të përjashtimeve tatimore. Aktualisht jemi duke vlerësuar legjislacionin dhe presim që shqetësimet e ngritura të adresohen në mënyrë të barabartë edhe gjatë zbatimit të tij, aktet nënligjore në vijim”, thotë KE.

Përgjigjja e Komisionit Europian për Report Tv
Edhe FMN e ka kritikuar nismën me argumentin se mund të përbëjë rrezik për stabilitetin tatimor.
Ndërkohë, të hënën Presidenti dekretoi edhe ligjin për fshirjen e borxheve tatimore dhe doganore, i cili duhet plotësuar me aktet nënligjore brenda këtij muaj nga Ministria e Financave. Ky ligj prek gati 2.1 miliardë euro detyrime të papaguara në dekada, dhe përfitojnë më shumë se 200 mijë biznese debitorë.
Janë gati 1 miliardë euro detyrime të krijuara nga vitet 90’ deri në fund të 2014-ës që do të fshihen brenda 31 dhjetorit 2026. Ndërsa borxhet tatimore dhe doganore 2015-2024 do të lehtësohen pjesërisht vetëm nëse paguhen detyrimet. Nëse 50 përqind e borxhit të krijuar nga janari 2015 deri më 31 dhjetor të vitit 2020, paguhet menjëherë deri në qershor 2026, gjysma tjetër falet, bashkë me gjobat e kamatat. Nëse pagesa bëhet me këste, deri në fund të dhjetorit 2026, do të falet vetëm 25 përqind e detyrimit.
Kategoria tjetër me borxhe nga 1 janari 2020 e deri në fund të dhjetorit 2024, do të përfitojnë falje të gjobave dhe kamatave nëse i paguajnë të gjitha detyrimet tatimore brenda vitit 2026.
Ky ligj do të jetë në fuqi vetëm këtë vit, dhe detyron organet tatimore dhe doganore që të publikojnë në janar të 2027-ës listën me 3000 përfituesit më të mëdhenj.
Komente












