Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov deklaroi se sulmet e ushtrisë ukrainase kundër rajoneve ruse nuk kontribuojnë në përparimin e procesit të paqes, raporton La Repubblica. Sipas tij, procesi i paqes është kompleks dhe kërkon kohë.

 “Veprimet e Kievit janë në kundërshtim me dëshirën për një proces paqeje dhe, sigurisht, ne i dënojmë këto veprime; ato nuk kontribuojnë në përparimin drejt paqes. Është e qartë se jo gjithçka është e thjeshtë. Është e qartë se do të donim që gjithçka të ndodhte më shpejt, por çështja e zgjidhjes së shkaqeve rrënjësore të konfliktit ukrainas është aq komplekse saqë duhet kohë. Puna po përparon.", u shpreh Peskov.

Ndërkohë, zëdhënësja e ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova kërcënoi se nëse Gjermania furnizon Ukrainën me raketa me rreze të gjatë veprimi Taurus, do të “digjen si shkrepëse”.

“Duke vendosur të heqë kufizimet në gamën e armëve të furnizuara Ukrainës, nëse armë të tilla kanë ekzistuar ndonjëherë, Berlini vetëm sa do të zhytet më tej në kurthin në të cilin regjimi i Kievit që mbështet është gjetur prej kohësh”, tha Zakharova.

Kjo deklaratë vjen pasi kancelari gjerman Friedrich Merz tha se Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Shtetet e Bashkuara kanë hequr kufizimet në rrezen dhe përdorimin e furnizimeve ushtarake për Ukrainën, duke i lejuar Kievit të sulmojë pozicionet në territorin rus me armë me rreze të gjatë veprimi.