Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, bëri thirrje për një rol më të fortë të Europës brenda NATO-s, duke theksuar se vendet europiane duhet të marrin më shumë përgjegjësi për mbrojtjen dhe sigurinë e tyre.
Duke folur pas samitit të vendeve të E5 në Berlin, të organizuar nga kancelari gjerman Friedrich Merz, Meloni tha se Europa duhet të vazhdojë me vendosmëri rrugën drejt forcimit të komponentit europian të Aleancës Atlantike.
“Europa duhet të marrë përgjegjësitë e saj në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Na presin vendime dhe takime të rëndësishme dhe Italia, si gjithmonë, do të bëjë pjesën e vet”, deklaroi ajo.
Sipas Melonit, arkitektura globale e sigurisë po ndryshon me shpejtësi dhe kjo kërkon që vendet europiane të rrisin aftësinë e përbashkët për t’u përballur me sfidat e reja.
Ajo theksoi se forcimi i mbrojtjes nuk duhet të shihet vetëm në kuptimin tradicional ushtarak, por si një koncept më i gjerë sigurie. Në këtë kuadër, Meloni përmendi mbrojtjen e infrastrukturës kritike, garantimin e furnizimit me energji, mbrojtjen nga sulmet kibernetike, reagimin ndaj emergjencave dhe sigurinë e kufijve.
“Duhet të kemi një qasje shumëdimensionale ndaj mbrojtjes dhe sigurisë. Bota po bëhet gjithnjë e më e paqëndrueshme dhe më konkurruese”, tha ajo.
Kryeministrja italiane shtoi se Europa duhet të ndërtojë një bazë të fortë industriale në sektorin e mbrojtjes dhe të përdorë investimet në mënyrë sa më efektive, duke nxitur inovacionin në vend që të ndjekë me vonesë zhvillimet .
Një pjesë e diskutimeve në Berlin iu kushtua edhe luftës në Ukrainë. Meloni ritheksoi mbështetjen për Kievin dhe tha se pa vazhdimin e kësaj mbështetjeje nuk mund të arrihet një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme.
“Ne mbetemi të angazhuar për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme, por kjo kërkon garanci efektive sigurie për Ukrainën. Asgjë nuk është e mundur nëse nuk vazhdojmë të mbështesim Kievin”, u shpreh ajo.
Sa i përket Lindjes së Mesme, Meloni e cilësoi si një sinjal pozitiv memorandum-in e mirëkuptimit të nënshkruar mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, por paralajmëroi se situata mbetet e brishtë.
Ajo theksoi rëndësinë e stabilitetit rajonal, sigurisë së rrugëve detare ndërkombëtare dhe lirisë së lundrimit, duke veçuar Ngushticën e Hormuzit si një prioritet strategjik.
Në të njëjtën linjë u shpreh edhe kancelari gjerman Friedrich Merz, i cili deklaroi se mbrojtja europiane nuk mund të ndërtohet përmes rrugëve të veçuara dhe se forcat europiane duhet të mbeten të ankoruara fort në NATO.
Presidenti francez Emmanuel Macron tha se samiti tregoi një unitet të madh mes vendeve europiane dhe vlerësoi rritjen e investimeve në mbrojtje. Sipas tij, samiti i ardhshëm i NATO-s do të shërbejë për të riafirmuar shtyllën europiane të Aleancës.
Takimi në Berlin mblodhi liderët e Gjermanisë, Francës, Italisë, Britanisë së Madhe dhe Polonisë dhe u zhvillua në prag të samitit të NATO-s që do të mbahet në korrik.
Komente








