Lewis Hamilton është shpallur për herë të pestë në karrierë kampion i Formula 1. Britaniku u rendit i katërti në fundjavë në Çmimin e Madh të Meksikës, duke siguruar matematikisht titullit kampion dy gara para fundit të sezonit.
33-vjeçari është në kuotën e 358-t pikëve, plot 64 më shumë se Vettel, i cili së bashku me Ferrarin dështoi edhe këtë vit për objektivin e madh.
Pas shpalljes kampion britaniku i Mercedes është shprehur:
Dua të falenderoj skuadrën, pasi nëse arrita të fitoj këtë Botëror është falë atyre, janë njerëz që kanë punuar jashtëzakonisht fort. Kam që nga viti 2013 te Mercedes dhe kur mendoj se arrita të barazoj rekordin e Fangio, me 5 tituj kampion bote ende më duket e pabesueshme. Diçka e jashtëzakonshme, aktualisht po përjetoj një ndjesi të çuditshme.
Hamilton titullin e parë e ka siguruar në vitin 2008. Më pas britaniku është shpallur kampion në vitet 2014, 2015, 2017 dhe 2018. Para tij është vetëm legjenda e Ferrarit, Michael Schumacer, i cili është shpallur 7 herë kampion në karrierën e tij.
Në këtë sezon që ende nuk është mbyllur dhe Hamilton është shpallur kampion, britaniku nuk e pati aspak të lehtë. Fillimi ishte shumë i vështirë, me Vettel dhe “Ferrarin” që dukeshin një hap para. Gjithsesi me kalimin e garave piloti i Mercedes u rikthye të jetë ai që njohin të gjithë, i pagabueshëm dhe shumë agresiv, cilësi që në fund i dhanë titullin.