Kryeministri Edi Rama në samitin e diasporës u ndal edhe te paragjykimet me të cilat përballeshin shqiptarët për emrin e vendit tonë. Por, sot Rama tha se imazhi i Shqipërisë ka ndryshuar, dhe nga një vend që nuk dihej se ku binte në hartë, në një vend që përmendet me kuriozitet dhe dëshirë. Shefi i qeverisë tha se kur e nisën rrugëtimin 13 vite më parë, e gjetën Shqipërinë me 2 mln turistë, ku edhe paaardhësi i tij (Sali Berisha), numëronte edhe veten si turist. Por, Rama tha se sot ky realitet ka ndryshuar, me 12 mln turistë që kanë vizituar vendin tonë dhe 1.6 miliardë euro investime të huaja në vit. Për kryeministrin, Shqipëria nuk është më një vend që përballet me përbuzje dhe paragjykime, por një emër që flet vetë në të gjitha gjuhët e botës.

“Atëherë shumë prej jush ishit shqiptarë që shpesh duhet të përballeshit me paragjykime për emrin e vendit, sot jemi kryelartë kudo dhe kurdo emri i vendit tonë thirret në vëmendje sepse emri i Shqipërisë ka kaluar një transformim të thellë. Nga një sinonim i së keqes, Shqipëria është sinonim i detit, diellit, natyrës dhe mikpritjes së njerëzve. Nga një vend që përmendej me dyshim dhe përbuzje, Shqipëria sot është një vend që përmendet në rastin më të mirë me kuriozitet dhe në rastin edhe më të mirë me dëshirë. Nga një emër që shpesh duhej shpjeguar se ku binte në hartën e botës, sot Shqipëria është një emër që flet vetë në të gjitha gjuhët e botës.

Sot Shqipëria është shumë më ndryshe nga atëherë kur ne u mblodhëm në samitin e parë të diasporës. E nisëm rrugëtimin tonë me të ardhura për frymë më pak se 3 mijë euro në vit dhe sot jemi mbi 11 mijë euro në vit, synimi ynë është që në vitin 2030 të jemi mbi 15 mijë euro në vit.

E nisëm rrugëtimin tonë me 2 milionë e ca turistë, ku edhe paraardhësi im e numëronte veten si turist sa herë kthehej nga udhëtimet e punës dhe çdo shqiptar kur kthehej në shtëpi numërohej si turist. Në atë kohë Shqipëria kishte 300 milionë euro investime të huaja, sot Shqipëria ka 12 milionë turistë dhe kaloi 1.6 miliardë euro investime të huaja në vit.

Atëherë askush prej jush, kur dilnit nga kufijtë e Shqipërisë apo kur kërkonit një shërbim, nuk mund ta merrnit dot veçse duke pritur pushimet për t’u kthyer në shtëpi dhe në vend që të pushonit në të gjitha ditët, ta kalonit një ditë të tërë në radhë për të marrë një shërbim. Sot ju i merrni 95% të shërbimeve falë shtetësisë suaj dhe një klik në smartphone-in tuaj”, tha Rama.


Lajmi kryesor:

Diaspora në Tiranë/ Rama: Bëhuni pjesë e rrugës drejt BE, projekt i madh sa amaneti i të parëve! Ju përmbushëm të drejtën e votës (VIDEO)