Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë u mblodhën sot të thirrura nga kryetari Sokol Sadushi për të riparë vendimin unifikues të vitit 2011 mbi masën e sigurimit të arrestit në burg dhe kohëzgjatjen e saj. Mbledhja e gjyqtarëve vjen në një moment kur prej muajsh po zhvillohet një debat për numrin e lartë të paraburgimeve në vend dhe një politike penale që shumë e shohin si represive, duke mos aplikuar vendime alternative ndaj mbajtjes të të pandehurve në qeli.
***
Disa ndryshime në Kodin e Procedurës Penale vendase të ndërmarra ndër vite por dhe disa vendime të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut kundër Shqipërisë, në të paktën tre çështje që lidhen me kohëzgjatjen e paraburgimit të personave në pritje të gjykimit, duket se e bëjnë tashmë të papërshtatshëm dhe të tejkaluar vendimin unifikues të Gjykatës së Lartë, të vitit 2011, mbi masën e sigurimit të arrestit në burg.
“Lidhur me zgjidhjen e caktimit të masës së sigurimit personal, lind nevoja për një konsolidim të praktikës gjyqësore veçanërisht në raport me masën më të rëndë që është ajo e arrestit me burg. Ky vendim mund të realizohet përmes një vendimi të GjL që të unifikojë kriteret interpretuese dhe të forcojë standartet e arsyetimit gjyqësor në përputhje me parimet e proporcionalitetit dhe të karakterit “extrema ratio” të arrestit me burg”, tha Ilir Panda.
Janë të paktën tre momente që sipas kreut të Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi duhen rishikuar. E para lidhet me faktin se sipas vendimit të 2011 gjykata nuk ka detyrim që të analizojë përse llojet e tjera të masave të sigurimit nuk janë të përshtatshme. Por, GJEDNJ thotë se “argumentet e gjykatave në favor të lirimit apo kundër nuk duhet të jenë të përgjithshme, por të përmbajnë referenca për fakte specifike dhe rrethana personale që justifikojnë paraburgimin e kërkuesit”.
Edhe zëvendësprokurori i Përgjithshëm Arqile Koça i pranishëm në seancë tha se ndryshimet në Kodin e Procedurës penale kërkojnë që çdo dy muaj të verifikohet masa e sigurisë, por se Gjykatat vijojnë t’i qëndrojnë termave të përgjithshëm si ai i dyshimit të arsyeshëm
"Nuk është ky standarti. Gjykata duhet të arsyetojë më gjerësisht, pse duhet të qëndrojë masa pas 2 muajsh? Standarti i vendosur nga GJEDNJ kërkon t'i thotë prokurorit "ore çfarë ke bërë për këto 2 muaj". Duhet një rol më aktiv i gjykatës për të vënë në pozita prokurorin", tha Arqile Koça, zv.Prokuror i Përgjithshëm.
Elementi i dytë për të cilin kërkohet rishikimi i vendimit të vitit 2011, lidhet me faktin se ndryshe nga çndodh aktualisht, rrezikshmëria e autorit nuk mund të përcaktohet nga vetë vepra penale. Gjykata Evropiane ka përcaktuar se serioziteti i veprës ose pasojat e saj nuk përbëjnë arsye të pavarura që justifikojnë ndalimin me burgim.
Edhe avokati Luan Hasneziri, mbështeti të njëjtin qëndrim.
"Rrezikshmëria e veçantë e veprës dhe të pandehurit si kriter të caktimit të masës arrest me burg nuk mund të nxirret vetëm ose kryesisht nga natyra e veprës penale, rëndësia e saj ose marzhi i dënimit, por nga gjykata duhet bërë një vlerësim konkret dhe i individualizuar i rrethanave të ngjarjes dhe veçorive të personit të dyshuar", u shpreh ai.
Momenti i tretë i ndryshimeve të synuara nga Gjykata e Lartë, ka të bëjë me barrën e provës se përse nuk duhet dhënë masa e arrestit me burg. Sipas vendimit të 2011, barra i takon të akuzuarit, ndërkohë që GJEDNJ e thotë prerë se “justifikimi për çfarëdo periudhe burgimi duhet të demonstrohet në mënyrë bindesë nga autoritetet”.
Ndërsa Gjykata pritet të dalë me një vendim në ditët e ardhshme, prokurori Koça, kërkoi nga trupa e Kolegjit të Bashkuar që të jenë të kujdesshëm që ndërhyrjet të jenë harmonike duke mbajtur në konsideratë si interesin publik ashtu dhe të drejtat individuale të të akuzuarit

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë
Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë u mblodhën për 4 orë për shqyrtimin e ndryshimit të praktikës gjyqësore për vendosjen e masës së arrestit në burg.
Avokati Luan Hasneziri ka dhënë qëndrimin e tij, i cili ka theksuar se praktika e aplikimit "arrest me burg" duhet të ndryshojë.
Sipas avokatit, "arresti me burg" duhet të jetë vetëm masa e fundit, kur çdo masë tjetër alternative është e papërshtatshme.
“Arresti në burg mund të vendoset vetëm kur çdo masë tjetër është e papërshtatshme. Kjo klauzolë ligjore tregon qartë kushtet kur vendoset kjo masë. Masa e’ arrestit në burg’ sipas ligjit duhet të jetë alternativa e fundit. Praktika e aplikimit vetëm në arrest në burg duhet të ndryshojë. Llogarisni një intelektual që dyshohet për një vepër e mbyll jetën në masë arresti në burg. Përse vetëm arrest në burg?”, tha ai.

Prokuroria e Përgjithshme ka dhënë për herë të parë qëndrimin e saj në Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë lidhur me ndryshimin e praktikës për arrestin me burg, duke mos e kundërshtuar vendimin e ndërmjetëm të Sokol Sadushit për rishikimin e kësaj praktike, por duke ngritur disa rezerva mbi pasojat që mund të sjellë. Prokurori Arqile Koça paralajmëroi se një qasje e përgjithshme dhe kategorike, që detyron gjykatat të arsyetojnë në çdo rast pse nuk vendosin masa më të lehta se “arresti në burg”, mund të krijojë probleme në garantimin e procesit penal, duke ngritur pyetjen se kush na “garanton që kata persona që s’do jenë në masën arrest me burg, do paraqiten në proceset gjyqësore. Sipas prokurorisë, masa e sigurisë është atribut i saj dhe mbështetet mbi provat që ajo paraqet në gjykatë.
“Barra për caktimin e masës arrest në burg i takon prokurorit. Nuk mund të varet vetëm mbi provat për sjelljen e të pandehurit. Vlerësohen nga gjykata në harmoni me provat e tjera. Duhet të kemi parasysh, vendimi gjyqësor është ndaj një personi dhe është produkt i mbledhjes së provës dhe fakteve, jo vetëm juridik i prokurorit e gjykatës, por edhe social etj. Kam frikë se nëse do jetë kategorike do jetë shumë problematike”, tha ai.
Pjesë nga diskutimet në seancë
Zv.Prokurori i Përgjithshëm Arqile Koça: Së pari duhet të evidentojmë kuadrin ligjor. Kushtetuta përcakton ndër të tjera se personi të cilit i është privuar liria, brenda 48 orëve duhet të përballet me gjykatën, më pas janë gjykatat ato të cilat marrin vendime. Arresti në burg aplikohet kur çdo masë tjetër është e papërshtatshme. Ndërsa kur caktohet masa e arrestit në shtëpi, gjykata përcakton edhe mënyrën e ekzekutimit të saj. Në rast kur gjykata, në kundërshtim me kërkesën e prokurorit, vlerëson se mund të aplikohet një masë tjetër, gjykata të arsyetojë edhe mënyrën e zbatimit të saj, të shtohet edhe kjo pjesë. Duhet të mbajmë parasysh se një vendim gjyqësor për masën e sigurimit merret mbi bazë të debateve që zhvillohen mes palëve dhe në fund caktohet një masë sigurimi pasi vlerësohet si e tillë. Vlerësimi për caktimin e masës së sigurimit është në diskrecion të prokurorit në bazë të dyshimeve të arsyeshme.
Gjyqtari Sokol Bina pyet prokurorin: Si e kupton paragrafin e parë të nenit 230 të Kodit të Procedurës Penale, që në rastin e konstatuar të rrezikshmërisë shoqërore, po ashtu edhe rrezikshmërisë së veprës, por po flasim për paragrafin e parë që ka të bëjë me sigurimin e provave pozitive, cili është qëndrimi juaj në lidhje me këtë pikë? Sepse vendimi unifikues i vitit 2011 këtë thotë.
Prokurori Arqile Koça: Kodi ynë i procedurës penale e ka të qartë se masa e sigurimit është në proporcion me veprën penale që dyshohet se ka kryer, pra nga rrezikshmëria e veprës penale që personi ka kryer.
Gjyqtari Enton Dhimitri: Pyetja që lind natyrshëm është se përse duhet ta ndryshojmë, pas asaj që ne kuptuam nga relacioni juaj, nëse ndryshimet e ligjit të vitit 2017 janë në bazë të standardeve europiane, atëherë pse lind nevoja për ndryshim?
Prokurori Arqile Koça: Ne marrim parasysh atë që duam të arrijmë, por të arrijmë objektivat për përmirësimin e legjislacionit.
Gjyqtari Enton Dhimitri: Barra e provës i takon prokurorit, nëse ne themi që prokurori ka për detyrë përshtatshmërinë e masave të kërkuara, pastaj gjykata ka detyrimin të arsyetojë papërshtatshmërinë apo përshtatshmërinë e masave?
Prokurori Arqile Koça: Sistemi i drejtësisë penale përbëhet nga OPGJ, prokurori dhe gjykata; nëse ne disiplinojmë gjykatën, automatikisht kemi disiplinuar prokurorin.
Gjyqtare Margarita Buhali: Në rast se gjykata i rishikon kriteret për përshtatshmëri dhe papërshtatshmëri jo vetëm në momentin fillestar, por edhe më pas për vijimin e masës, barra e provës ju kalon ju si organ akuze, edhe kur kërkohet caktimi i masës, por edhe kur kërkohet vijimi i masës.
Prokurori Arqile Koça: Çdo gjë që sjell i arrestuari do të vlerësohet në raport me provat e tjera që ka sjellë prokurori. Në lidhje me verifikimin çdo dy muaj, gjykata duhet ta rishikojë domosdoshmërinë në të gjitha aspektet, po ashtu të shikojë nëse mund të aplikohet një masë alternative. Ky vlerësim duhet të bëhet në të gjitha aspektet sa herë që kërkohet.
Komente









Mire e kane kete nisem por vone jane kujtuar. Populli ben burg per vepra qe ne europe nuk ekzistojn si te tilla. Dhe nen presionin e "burgut", asnje nuk do me as te punoje e jetoje ne nje shqiperi, cdo dite emigrimi plag ne shqiperi prej situates kaotike qe eshte krijuar. Me shume paraburgim se burg, ligje ruse dhe turke te 1900-tes
Përgjigju