TIRANE- Duket se edhe deputetët e kuvendit shqiptar i druhen pjesëmarrjes në festivalin e diversitetit që do të organizohet me datë 17 maj, i përfolur më së shumti në media si “parada gay”. Sipas organizatorëve të këtij eventi, që do të organizohet për herë të parë në vendin tonë dhe ka për qëllim të shpalosë flamurin e diversitetit, tashmë ftesat u janë dërguar të gjithë deputetëve që bëjnë pjesë në komisionin e ligjeve, në komisionin e integrimit dhe në atë të Çështjeve Sociale. “Në fakt ftesat janë shpërndarë këto ditë dhe deri më tani asnjëri prej këtyre deputetëve nuk ka konfirmuar pjesëmarrjen. Megjithatë është ende shpejt për këtë gjë. Ftesat ne do ua dërgojmë edhe krerëve të disa prej institucioneve më të rëndësishme në vend”, - na sqarojnë organizatorët e këtij eventi që është “Ambasada Pink”. Ndërkohë që ata reagojnë qetësisht dhe pa emocione kundrejt batutave që përfshinë dy ditë më parë anëtarët e komisionit të integrimit kur panë ftesat për të marrë pjesë në festivalin e diversitetit. “Po kjo është e bukura e kësaj nismës sonë. Dashje pa dashje përfshihen të gjithë. Pastaj kjo nuk është hera e parë që ndodh. Batuta të tilla mund të dëgjosh çdo ditë dhe kudo në Shqipërinë tonë. Synimi ynë është të dalë me sukses aktivitete që ne do të nim që në mëngjesin e 17 majit”, - na thonë përfaqësuesit e “Ambasadës Pink” që mbron të drejtat e komunitetit të gay-ve, lesbikeve, trans dhe biseksuale të njohura ndryshe si komuniteti LGBT.
(sg/ek/shqiptarja.com)