E tha për një medium të fuqishëm britanik. Fjalë e madhe, por implementim i vështirë.

Kryeministri i Kosovës dhe njëherësh lideri i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hashim Thaçi, në një intervistë dhënë të përditshmes britanike “The Guardian”, kishte premtuar se do ta pastrojë partinë që ai e drejton.

Madje pa nxituar fare, ai kishte premtuar se njerëzit e dënuar për vepra penale, do t’i përjashtojë nga partia që ai drejton, pasi që, sipas tij, të njëjtët nuk kanë më vend në politikë dhe në partinë që ai drejton.

“Ne kemi pasur shembuj të mëparshëm ku njerëzit ishin në procedura gjyqësore dhe ata u zgjodhën si anëtarë të Parlamentit. Por, nga momenti kur dikush është gjetur fajtor nga një gjykatë, ata nuk do të mbeten pastaj në politikë”, ka thënë kryeministri për të përditshëm “The Guardian”.

Të kish qenë një prilli, deklarata e dhënë e kryeministrit Thaçi do të ishte shumë e besueshme.

Mirëpo, në momentin e dhënë, ajo duket më shumë i ngjason deklaratave dhe premtimeve të pambuluara elektorale që i ka dhënë ditëve të fundit nëpër komuna gjatë zgjedhjeve komunale, të cilat u mbajtëm më 3 nëntor të këtij viti.

Si duket kryeministri Thaçi, kur e ka dhënë deklaratën e tij për mediumin prestigjioz britanik ka harruar se së paku tre anëtarë të lartë të partisë së tij, në mesin e tyre edhe anëtarë të kryesisë, janë të dënuar për vepra penale, siç është rasti i Latif Gashit, Rrustem Mustafës, Bajrush Xhemajlit, Xhabir Zharkut, por ka edhe zyrtarë të tjerë të lartë.

Mirëpo, nuk duhet të harrohet se në zgjedhjet e fundit nacionale në vend mbi 1500 persona kanë qenë të akuzuar për vjedhje të votave, e ku një pjesë e madhe e këtyre janë po ashtu anëtarë të partisë së kryeministrit Thaçi.

Po ashtu, edhe disa anëtarë të partisë së kryeministrit Thaçi, kanë hyrë në garë në zgjedhjet e fundit lokale edhe pse janë të akuzuar për shpërdorim të detyrës zyrtare, e që nëse shpallen si fajtor nga gjykata në ato komuna duhet të organizohen zgjedhje të reja, e ku buxheti i Kosovës do të humbte shuma të konsiderueshme parash.

Madje, edhe gjatë fushatës kandidati i PDK-së për komunën e Prizrenit, Ramadan Muja, është përballur me drejtësinë, e ndërkaq kandidati tjetër për komunën e Skenderajt, Sami Lushtaku, para fillimit të fushatës ishte paraburgosur, nga prokuroria e EULEX-it, pasi që ai ishte dyshuar për krime lufte. Po ashtu, në këtë “valle” hyn edhe kryetari aktual i komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa, i dyshuar po ashtu për shpërdorim të detyrës zyrtare.

Andaj do të ishte e moralshme dhe e natyrshme që deri të përfundojë një proces gjyqësor personat e tillë të jenë jashtë politikës, e pastaj nëse të njëjtit shpallen të pafajshëm ata mund të vazhdojnë rrugën aty ku e kanë lënë. Përndryshe deklaratat e kryeministrit janë tejet paradoksale dhe nuk përkojnë me realitetin në vend.

Kryeministri duhet të jetë më se i vetëdijshëm dhe duhet ta dijë se qëllimet nuk arrihen vetëm me fjalë, por vepra e punë. E këto të fundit kanë munguar në shumë fjalë të mëdha që i ka dhënë ai gjatë jetës së tij politike.

 Marrë nga "Zëri"