Paraja jashtë bankave regjistroi një tjetër rekord gjatë vitit të kaluar. Rreth 4.8 miliardë euro thotë Banka e Shqipërisë qarkulluan në cash deri në fund të vitit 2025-ës, me rritje të fortë prej 600 milionë euro në raport me vitin 2024.

Kjo ‘traditë’ e pagesave me lekë në dorë i hap shtigje informalitetit, e bën më të vështirë luftën ndaj pastrimit të parave duke ndikuar negativisht në ekonomi, pasi qarkullimi i parasë është i pakontrolluar.

Për këto arsye qeveria vendosi që përveç bizneseve të kufizojë edhe pagesat me para në dorë për qytetarët, si një zgjidhje për të ulur qarkullimin e parasë jashtë bankave në vend.

Ligji i miratuar në Kuvend më 12 dhjetor 2025, parashikon që duke filluar nga janari 2026-të, qytetarët nuk do të lejohen të bëjnë pagesa më të larta se 5000 euro me para cash. Pra, për çdo blerje që e kalon këtë vlerë, qytetarët do të jenë të detyruar të paguajnë me kartën elektronik të bankës. Si dhe u ul tavani për pagesat në Cash edhe për bizneset nga 1500 euro që ishte në 1000 euro.

Po ashtu të gjitha subjektet në sektorin e strukturave akomoduese, në sektorin e transportit dhe institucionet publike brenda qershorit duhet të kenë instaluar një formë alternative për të kryer pagesa elektronike.

Qeveria është zotuar që deri në 2030-ën do ta kthejë vendin në një ekonomi pa cash, me synim që pagesat të jenë tërësisht elektronike.

Fenomeni i bërjes së pagesave me lekë në dorë në Shqipëri është i përhapur masivisht, që nga blerjet nëpër markete e deri tek transaksionet e mëdha, siç janë pagesa në cash edhe e apartamenteve. Kjo praktikë u konstatua së fundmi edhe nga kontrollet e administratës tatimore në sektorin e ndërtimit, ku transaksioni i apartamenteve deklarohet i ulët në letra për të shmangur tatimet, dhe pjesa tjetër e pagesës bëhet me “lekë në dorë”.

Kjo lëvizje e lartë e cash, ka kosto të shumta për ekonominë, përveç hapësirave për evazion fiskal e bën të pamundur verifikimin e burimit nga u krijuan këto të para.

PARAJA JASHTË BANKAVE
Dhjetor 2024      4.235 mln euro
Dhjetor 2025       4.834 mln euro
Diferenca          +599 mln euro