Minatorët e Spaçit e spostuan këtë të enjte, në dyert e Kuvendit të Shqipërisë, protestën e tyre Prej 3 javësh minatorët protestojnë për kushte të drejta pune, paga të denja, kontrata kolektive dhe njohjen zyrtare të sindikatës së tyre.

“Kërkojmë të drejtat tona si minatorë të Spaçit. Kemi 9 vite punë aty dhe na kanë trajtuar si skllevër. Duam kontratë kolektive dhe dialog social”, tha një prej minatorëve.

Në krah të tyre, u shfaqën disa deputetë. Gjin Gjoni e Jorida Tabaku nga opozita garantuan për njohjen e statusit të minatorit

“Ne do t'ju mbështesim deri në zgjidhjen përfundimtare, deri në lidhjen e kontratës përfundimtare kolektive”, tha Gjin Gjoni.

“Dua t'ju siguroj që për sa i përket statusit minatorit që unë e kam dorëzuar si propozim ligjor, do i shkojë deri në fund. Sot do i kërkoj ministres së ekonomisë që të presë një përfaqësi të deputetëve dhe do kërkojmë dhe njëherë ligjin për statusin e minatorit”, tha Jorida Tabaku.

Ndërsa socialisti Erion Braçe, tha se Ministria e Ekonomisë duhet të veprojë

“Ministria duhet të detyrojë kontraktorin që të njohë sindikatën që ju keni krijuar, sindikatën ku ju aderoni dhe normalisht përmes të përfaqësoheni për të gjitha të drejtat tuaja. Po patjetër që përmirësimi i kushteve të punës, përmirësimi i të ardhurave tuaja për një punë që është më e rënda. Në qoftë se kjo çështje nuk zgjidhet, unë dhe ministrja e ekonomisë do përballemi në parlament”, tha Braçe.

Çështja e pazgjidhur e minatorëve zbriti më pas në seancën plenare, ku Jorida Tabaku kërkoi diskutime për minatorët e Spaçit, dhe u shoqërua me replikë po nga kahu opozitarë Redi Muçi deputeti i ‘Lëvizjes Bashkë’.

“Sa i përket propozimit të zonjës Tabaku për futjen në rendit e ditës për minatorët e Spaçit, me habi konstatoj konstatoj që në kuvendin e vitit 2025, PD po përmend fjalën minatorë. E mbështes propozimin, megjithatë edhe përderisa u fol këtu për statusin e minatorit, dua të kujtoj se kur ishte 8 vjet në pushtet nuk e miratoi statusin e minatorit. Shumë mirë që e propozoi për miratim”, tha Muçi.

“PD e ka propozuar statusin e minatorit këtu e tre vite të shkuara, e kam firmosur unë. Dhe një sugjerim meqenëse je deputet i ri, të bësh opozitën e opozitës nuk të shkon. Sot duhet të kishe dalë dhe t’i kërkoje llogari qeverisë se pse propozimet e PD për pensionin minimal dhe statusin e minatorit nuk po zbatohen”, u përgjigj Tabaku.

Pak ditë më parë kompania turke “Tete Albania” ka deklaruar se sindikata është e paligjshme dhe ka paralajmëruar minatorët që po protestojnë se mund të mbeten pa rroga në fund të muajit.

“Tete Albania Tunnel & Mining” është degë e grupit turk Tete Turkey dhe ka marre leje shfrytëzimi nga shteti shqiptar në vitin 2018. Kompania bën nxjerrjen e përpunimin e bakrit dhe numëron mbi 200 punëtorë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:25
Erion Braçe 'del' nga grupi i socialistëve, i bashkohet protestës së minatorëve para Parlamentit: Të drejtat tuaja janë themelore

1761845529_erjonbrace.jpg

Socialisti Erion Braçe është i vetmi i cili është bashkuar sot me minatorët e Spaçit në protestën para Parlamentit. Erion Braçe u shpreh në protestë se ministria përgjegjëse duhet të detyrojë kompanitë që të pranojnë kërkesat e minatorëve.

“Ministria e Punës duhet të bëjë atë që i ngarkon ligji: jo të zbusë situatën, por të garantojë zbatimin e Kushtetutës nga kontraktori i shtetit shqiptar për shfrytëzimin e vendburimit. Pra, duhet të detyrojë kompaninë të njohë sindikatën tuaj dhe përmes saj t’i përfaqësoheni për të gjitha të drejtat tuaja. Kjo është themelore”-tha Braçe.

Kërkesa e minatorëve është njohja e sindikatës së krijuar prej tyre dhe nënshkrimin e një kontrate kolektive, që sipas tyre do të garantonte paga të drejta dhe kushte të sigurta pune. Mes kërkesave është ajo e njohjes së statusit të minatorit.

“Kërkojmë të drejtat tona. Duam atë që na takon nga shteti shqiptar. Duam kontrata kolektive”-deklaroi një nga pjesëmarrësit në protestë.