Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti vlerëson se Maqedonisë mund t’i ndodhë skenari i Ukrainës, nëse nuk zhbllokohet procesi euro-integrues. Gjatë fjalimit të fund-vitit, Ahmeti tha se Ukraina nuk është edhe aq larg, ndërsa mosmarrëveshjet e atjeshme etnike dhe ideologjike i krahasoi me rrethanat në Maqedoni. Sipas Ahmetit, vullnet i padiskutueshëm i shqiptarëve të Maqedonisë është anëtarësimi në NATO dhe Bashkimin Evropian.

“Anëtarësimi në NATO jo vetëm që prodhon marrëdhënie të mira ndëretnike, por edhe ndër-fqinjësore, dhe në tërë rajonin e Ballkanit perëndimor, sepse nuk është larg Ukraina, që në çdo kohë duhet ta kujtojmë se ç’ngjarje dhe ç’zhvillime ndodhin në Ukrainë. Të pakëndshme dhe të papëlqyeshme për askënd. Deri më tani rreth 5 mijë njerëz të vrarë”, tha Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së.

Ahmeti foli edhe për çështjet e hapura me VMRO DPMNE-në, duke pranuar se ekzistojnë shumë mosmarrëveshje, për shkak se koalicioni është prodhim i vullnetit të dy popujve në Maqedoni. Edhe përkundër dështimit të idesë për president konsensual, kreu i BDI-së këmbëngul se vendimmarrja me konsensus duhet të shndërrohet në praktikë politike në vend.