Agjencia për Media dhe Informim pranë Qeverisë shqiptare ka reaguar për Report Tv pas paralajmërimit të Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, për sulme të mundshme nga grupet e lidhura me Iranin në vendin tonë.
Në reagimin e qeverisë thuhet se paralajmërimi i Ambasadës së SHBA-së është një hamendësim. Po ashtu në njoftim thuhet se Ambasada Amerikane lëshon paralajmërime të tilla edhe për protestat me molotovë që organizon PD dhe Sali Berisha në Tiranë.
“Ambasada e SHBA jep rregullisht alarme të tilla, madje edhe kur dalin në protestë grupe opozitare që djegin kazanët e mbeturinave apo gjuajnë me molotov për të dalë në fotografi në gazetat e huaja, por agjencitë ligjzbatuese të Republikës së Shqipërisë nuk kanë asnjë informacion shqetësues lidhur me këtë hamendësim të ambasadës amerikane. Kështu që ne i ftojmë qytetarët amerikanë të mos humbasin asnjë nga mundësitë e mrekullueshme që ofron Shqipëria, me vendet e saj të panumërta turistike, mikpritjen e saj të pakonkurueshme dhe ushqimin e saj të paqortueshëm”, thuhet në reagimin e Agjencisë për Media dhe Informim.
Lajmi kryesor:
Ambasada e SHBA: Grupe të lidhura me Iranin mund të sulmojnë objektiva të caktuara në Shqipëri! Qeveria: Asnjë shqetësim











