'Paralajmërimi': Trump, si një 12 vjeçar në një kullë të kontrollit të trafikut ajror që shtyp pa kuptim butona

Një libër i ri, i pa publikuar ende, me titullin "Paralajmërimi" që ka për autorë një shkrimtar anonim, por që me shumë gjasa është një zyrtar të lartë në administratën Trump, portretizon profilin publik të presidentit Trump, që kur ai mori detyrën gati tre vjet më parë.

Sipas një kopje të librit të marrë nga gazeta 'The Washington Post', Presidenti Trump është mizor, i paaftë dhe i rrezikshëm.

Autori i librit shkruan se Trump "pengohet, ngatërrohet, irritohet lehtë dhe ka probleme në sintetizimin e informacionit, jo herë pas here, por rregullisht,".

Presidenti është krahasuar me një "12 vjeçar në një kullë të kontrollit të trafikut ajror duke shtypur butonat pa dallim", ndërsa avionët përpiqen të shmangin një përplasje.

Shkrimtari anonim flet edhe për ato që përshkruhen si komentet seksiste të Trumpit për gratë, duke komentuar veshjen dhe peshën e tyre.

Sipas autorit, në një takim, presidenti Trump dyshohet të ketë përqeshur me një theks hispanik për t'u ankuar për imigrantet që vinin nga Meksika, duke i quajtur ato të padobishme dhe duke thënë se nëse do të vinin me burra, burrat mund të përdoren për të mbledhur misër.

Trump është përshkruar gjithashtu si i paaftë për të udhëhequr vendin në një moment krize, duke thënë se ai nuk dëgjon informacionet e inteligjencës dhe të sigurisë kombëtare dhe cilësohet si një njeri që komplimentohet me lehtësi.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Stephanie Grisham e cilësoi librin si "një trillim" dhe "farsë", duke e quajtur shkrimtarin një "frikacak" që dëshiron të mbetet anonim.

I.C./Shqiptarja.com
Komento