Në Javën e parandalimit të infeksioneve, mjekët apelojnë për kujdes të shtuar ndaj higjienës personale dhe të mjedisit përreth.

Mjekja infeksioniste në QSUT, Esmeralda Meta, thekson se viruset ndahen në disa lloje, dhe për ato më të shpeshta apelon për vaksinim që zakonisht bëhet gjatë kësaj periudhe.

“Infeksionet e ndryshme zënë një peshë të madhe sa i përket shëndetit publik, mjaft më mirë flasin epidemitë dhe pandemitë e shpërthyera, të cilat tregojnë se çfarë impakti kanë infeksionet në shëndetin publik në të njëjtën moment ose periudhe kohore. Infeksionet e ndryshme zënë peshë të madhe sa i përket shëndetit publik. Ato janë të shumta dhe kanë pasoja të ndryshme. Kemi infeksione komunitare dhe spitalore.

Në të dyja rastet sensibilteti duhet të jetë i lartë. Jemi të rrethuar nga mikroorganizma të cilët herë sillen si normal dhe herë të tjera si patogjenë. Kujdes duhet të ketë veçanërisht fëmijët, por edhe grupmoshat e treta, që vuajnë nga sëmundjet kronike ose sëmundje që ulin imunitetin. Për të gjitha infeksionet respiratore që ka vaksina sikurse është gripi, Covidi rekomandohet vaksinim në periudha të caktuara siç është periudha e vjeshtës ose dimrit", tha mjekja Esmeralda Meta.

Doktoresha Meta u shpreh se rekomandohet që në periudhën e shpërthimit të infeksioneve të tilla këto grupe risku të kenë parasysh mosqëndrimin në vende të grumbulluara, përdorimin e maskave, mbajtjen e higjienës personale dhe ambientit përreth.

"Në periudha të shpërthimit thelbësore është higjena personale dhe ajo e ambientit, përdorimi i maskave, mosqëndrimi në ambjente me shumë njerëz etj. Peshë kanë edhe infekisonet e sëmundjeve seksualisht të transmetueshme. Këto infeksione kanë rrezik edhe për jetën, por edhe prishin kualitetin e jetës madje lënë pasoja edhe në infertilitet. Duke respektuar këto masa minimizojmë shanset e marrjes së infeksioneve dhe transmetimin e tyre tek të tjerët", përfundoi mjekja Esmeralda Meta.