KORÇË- Klodian Asllani, 26 vjeç, me precedent të mëparshëm penal, është arrestuar nga policia e Korçës, ndërsa dyshohet se do të kryente një vrasje me pagesë.

Sipas policisë i riu, i cili kishte vetëm pak muaj që kishte dalë nga burgu, është përpjekur të largohet me shpejtësi dhe ka nxjerrë nga brezi, armën e mbushur, të cilën e ka hedhur në një kosh, në anë të rrugës. Arma u gjet në koshin e mbeturinave dhe u sekuestrua nga policia, ndërsa nuk dihet se kush ishte objektivi i të riut, apo porositësit e vrasjes.

Në kuadër të operacionit ‘Matrix’, u arrestua në flagrancë Klodian Asllani, banues në Korçë, për veprën penale "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit".

Po ashtu është proceduar penalisht për veprën penale ‘Moskallëzim i krimit’ një 17-vjeçar, që, në momentin e kapjes, ka qenë i shoqëruar me Klodian Asllanin. 17-vjeçari dyshohet që ka pasur dijeni se 26-vjeçarmbante me vete armë zjarri.

Vijon puna intensive, për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje, të cilat, për arsye hetimore, nuk i bëjmë dot me dije. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme.