Parapagimi i tatimit nga profesionet e lira, Malaj: Brenda dhjetorit do kthehen shumat e paguara

Brenda muajit dhjetor pritet që qeveria të kthejë shumat e tatimit të parapaguar nga bizneset e profesioneve të lira, numri i të cilëve është i shumtë.

Lajmin e bëri të ditur Ministri i Financave dhe Ekonomisë Petrit Malaj në konferencën e përbashkët për shtyp me misionin e FMN-së dhe Bankën e Shqipërisë

Ministri i Financave dhe Ekonomisë Malaj deklaroi se brenda muajit dhjetor profesionistëve të lirë do t’u kthehen mbrapsht të gjitha detyrimet e paguar. Vendimi për kthimin e tatimit të parapaguar pritet të miratohet në mbledhjen e ardhshme të qeverisë.

“Për çështjen e profesioneve të lira, Ministria e Financave ndoqi rrugën ligjore, duke iu drejtuar Gjykatën Kushtetuese për të interpretuar dhe për të na udhëzuar, se si duhet të vepronim për efektet që prodhoi ligji nga hyrja në fuqi deri në momentin e shfuqizimit. Gjykata Kushtetuese nuk është shprehur për këtë gjë, duke lënë të nënkuptohej që efektet e prodhuara ishin legjitimi.

Nga ana e qeverisë ka vullnet për të kthyer fondet mbrapsht. Ministria e Financave i ka propozuar qeverisë kthimin mbrapsht të fondeve. Besoj se në mbledhjen e ardhshme të qeverisë do të kemi lajm të mirë për profesionet e lira.

Brenda muajit dhjetorit 2024 do të kthehen të gjitha shumat e marra nga profesionet e lira dhe do të fshihen të gjitha detyrimet e regjistruara përgjatë periudhës janar-korrik që ishte ligji në fuqi”, u shpreh ai.

Nga Gjykata Kushtetuese u vendos më 27 Qershor 2024 unanimisht rrëzimi i nenit 69 që diskriminonte profesionistët e lirë nga tatimi prej 15%. Tatimi i profesionistëve të lirë do të fillojë në vitin 2029, njësoj me bizneset e tjera.

Gjykata Kushtetuese vendosi në mënyrë unanime pranimin e çështjes që është brenda juridiksionit të saj dhe rrëzoi diskriminimin e profesionistëve të lirë, duke u bazuar tek argumentet që paraqitën palët paditëse.

Ligji “Për tatimin mbi të ardhurat” parashikonte që zbatimi do të niste për profesionistët e lirë nga 1 janari 2024 dhe për bizneset e tjera në vitin 2029.

Nga ky ligj do të prekeshin rreth 29 mijë profesionistë të lirë. Një pjesë e tyre parapaguan këstet e tatimit 15%, të cilat u përllogaritën në bazë të fitimeve të vitit 2023, duke shkaktuar dhe debate të shumta, pasi qeveria nuk njohu shpenzimet e zbritshme prej 30%. Pas debateve të shumta që shkaktoi moszbatimi korrekt i ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, administrata tatimore rishikoi më 28 maj me ulje këstet e parapagimit të tatimit për profesionet e lira.

Në njoftimet e dërguara që më 28 Maj nga Drejtoria Rajonale e Tiranës, rezultoi se për llogaritjen e tatimit për muajin Maj dhe muajt qershor-dhjetor, u zbritën shpenzimet 30%, të parashikuar në ligj për të vetëpunësuarit me xhiro deri 10 milionë lekë. Pas korrigjimit kësti i parapagimit për muajin Prill mbeti  i pandryshuar. Ndërsa detyrimi për muajin Maj dhe muajt e tjerë ishte 30% më i ulët.

Qeveria parashikonte që të arkëtonte 75 milionë euro nga 29 mijë profesionistët në vitin e parë të zbatimit të ligjit, bazuar në fitimet e deklaruara prej tyre në 2023-n.

Një pjesë e madhe e tyre nuk i kishin paguar ende këstet, sepse po prisnin vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa ata që i kanë paguar, tashmë do t’u kthehen mbrapsht shumat e paguara brenda muajit dhjetor.

Llogaritet që nga tatimi i parapaguar janë arkëtuar rreth 10 mln euro./Monitor

SI.E./E.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Qeveria teknike e 2017 kishte 10 ministra nga PD por humbi 10 herë më thellë

Spahiu: Qeveria teknike e 2017 kishte 10 ministra nga PD por humbi 10 herë më thellë