Autoriteti Rrugor Shqiptar kërkon nisjen e një hetimi administrativ për kompaninë "Gjoka Construction" e cila po kryen punimet për ndërtimin e Rrugës së Arbrit. Por përse akuzohet firma 'Gjoka'?ARRSH-ja thotë se kjo firmë paraqiti të dhëna fiktive në përpjekje për të fituar tenderin për ndërtimin e tunelit të rrugës Kardhiq-Delvinë, që është 'loti 7' dhe që u anulua.
Firma në fjalë për të dëshmuar plotësimin e kriterit të eksperiencës në punë të ngjashme paraqiti dokumentacion që përmban informacion të rremë, lidhur me ndërtimin e tuneleve të “Rrugës së Arbrit” duke deklaruar se i ka përfunduar, por në fakt puna ende vijon.
Nga kontrolli rezultoi se punimet e marra përsipër nga firma "Gjoka" nuk kanë përfunduar sipas kontratës, pasi ende vijojnë ndërtimet e tuneleve dhe se nuk janë në standardet e kërkuara dhe të parashikuara në kontratë.
"Punimet nuk kanë përfunduar sipas kontratës. Ka zëra punimesh që janë pasqyruar si të përfunduar, por në fat puna vijon. Të dhënat e paraqitura nga firma 'Gjoka' janë fiktive dhe jo reale dhe nuk përputhen me punimet e kryera në terren.
Tunelet në ndërtim quhen të papërfunduara prandaj kërkojmë fillimin e një procedure hetimi administrativ lidhur me informacionin e rremë që paraqiti "Gjoka Construction" thuhet ndër të tjera në shkresën e firmosur nga ARRSH-ja në 12 shtator, që kërkon nisjen e hetimit administrativ.