Paratë e rrezikuara në bankat ruse të politikanëve shqiptarë dhe “gara” për Ukrainën?!

Paratë e rrezikuara në bankat ruse të politikanëve shqiptarë dhe “gara” për Ukrainën?!

Po vëmë re një retorikë të shtuar të lidershipit të opozitës, por dhe përfaqësuesve të tyre në institucionet më të larta të shtetit për të dënuar agresionin rus në Ukrainë.

Dhe mirë bëjnë që e dënojnë, pasi Vladimir Putin dhe ushtria e tij po kryejnë krime kundër njerëzimit dhe kanë vënë në diskutim ekzistencën e një kombi, Ukrainës, por dhe po rrezikojnë rëndë me efektin “domino” në tërë Europën, nëse “cari” i ri rus Vladimir Putin vijon agresionin.

Gjatë gjithë këtyre ditëve kemi parë se si kanë zënë “radhë” në mediat, rrjetet sociale dhe panele publike që nga Presidenti Ilir Meta e deri më i fundit tek opozita, kreu i PD zyrtare Lulzim Basha, të cilët me një gjuhë të fortë dhe të ashpër dënojnë pushtimin e Ukrainës nga Rusia.

Po përmendim lidershipin e opozitës, Berisha, Meta dhe Basha, pasi mazhoranca qeverisëse e ka kryer në mënyrë institucinale rolin e vet për dënimin e agresionit rus në Ukrainë dhe përpjekjet për shuarjen e një kombi, përmes një deklarate të nivelit të lartë.

E kemi fjalën për rezolutën e paraqitur nga Shqipëria në OKB bashkë me SHBA, si bashkëpendëmbajtës me shtetin më të fuqishëm të botës, për të dënuar agresionin rus në Ukrainë, dhe për të hapur rrugë për saksionet më të rënda ndaj Rusisë së Putin, një rezolutë që mori mbështetjen e 141 vendeve nga mbarë bota, për t’u kundërshtuar vetëm nga 5 shtetete që mbështesin vendin agresor.

Për më tepër që dhe kryeministri Edi Rama, apo ministra të tij kanë bërë disa dalje për mediat, pa e bërë “baltë”, janë shprehur në mbështetje të sovranitetit të Ukrainës, i rrezikuar nga konflikti i paprovokuar prej saj, prej fqinjit të fuqishëm Rusisë. Pra dalje para mediave me “karar”!

Për të qëndruar brenda fokusit, nuk është sekret ta themi se Rusia ka tentuar të shtrijë ndikimin e saj në Ballkan e për pasojë dhe në Shqipëri, qoftë përmes interferencave politike duke shfrytëzuar lidhjet e hershme me Moskën, shkollimin apo “kurset” diplomatike në “katin e katërt” të selisë së diplomacisë ruse, financimet direkte në vende të caktuara, apo ato indirekte për politikanë të caktuar, disa media apo dhe bizneset që rrotullohen rreth tyre, me qëllimin e vetëm për t’i shërbyer në një ditë të keqe. Flasim dhe për Shqipërinë këtu, të kuptohemi. Sepse Shqipëria na intereson.

Ky aktivitet, aspak normal për një vend si Shqipëria, e cila përpos një periudhe të caktuar në kohën e regjimit të Enver Hoxhës ishte satelit i Moskës, nuk ka kaluar pa u vënë re nga ana e partnerëve tanë të mëdhenj dhe aleatëve strategjikë që udhëheqin botën demokratike, SHBA dhe BE apo dhe Britania e Madhe.

Eshtë bërë publik disa herë fakti se politikanë të caktuar, me qëndrimet e tyre kundër Perëndimit, teoritë e “sovranitetit” të Shqipërisë qoftë dhe nga aleatët dhe miqtë tanë të mëdhenj, apo vënia në “peshore” e demokracisë në SHBA dhe BE me “raketat ruse”, kanë sjellë shqetësim te aleatët tanë, duke sjellë dhe reagime të forta herë në mënyrë shumë diplomatike e herë dhe në versionin “shqip-shqip”, që të gjitha këto “pirueta” të emërtohen si veprime që cënojnë sigurinë e vendeve të tyre dhe sidomos të Aleancës së Atlantikut të Veriut, duke dërguar ujë në “mullirin rus”.

Nuk është shumë e largët ajo periudhë kur Shqipëria akuzohej për rrjedhje informacioni të klasifikuar ‘sekret’ të NATO-s drejt vendeve jo mike dhe armike, mes tyre dhe Rusisë dhe Iranit, çka solli para vitit 2013 momentin trishtues që kur zhvillohej mbledhja e përfaqësuesve të vendeve anëtare të Aleancës, që në pikën e fundit kishte “çështje të klasifikuara sekret” në çdo mbledhjeje, përfaqësuesi i Shqipërisë të nxirrej jashtë pasi nuk i besohej asnjë sekret.

Mund të pyeten ambasadorët e Shqipërisë dhe atashetë e asaj kohe në NATO për të marrë një përgjigjie akoma më shterruese, përpos kërkimit në motorin e kërkimit “Google”. Të dalin e zeza mbi të bardhë të gjitha lajmet për këto skandale.

Nuk është rastësi që disa këshilltarë pranë institucioneve apo partive politike u lakuan me emër dhe mbiemër si të “përpunuar” nga shërbimi sekret rus të gatshëm për të shërbyer për gjithka u nevojitej në këtë vend, përmes nxitjes së përplasjes civile e destabilizimit të vendit e deri tek dhënia e informacioneve të klasifikuara për Moskën.

S’është aspak sekret të themi se aleatët tanë pas çdo radikalizimi politik, tensioni apo përplasjeje të dhunshme të politikës në Shqipëri, që si për konçidencë bëheshin në të njejtën kohë e me të njejtat probleme në vendet me demokraci të brishtë të rajonit, të tërheqin rëndë vëmendjen për cënimin e sigurisë në këtë cep të Aleancës.

Nuk është rastësi as fakti se të gjitha akuzat e hedhura në media, por dhe ato të hedhura zyrtarisht nga organet ligjzbatuese shqiptare dhe aleate sidomos, bëjnë fjalë për lobime me paratë e botës së nëndheshme kriminale ruse të lidhura direkt me presidentin Vladimir Putin. Janë dhe akuza zyrtare, qoftë për këto lobime, apo dhe për bashkëpunime me ish kryeministrin në ekzil të Maqedonisë së Veriut, Nikola Gruevski, paratë e qarkulluara përmes oligarkëve rusë, qoftë dhe me shtetësi greke për të qënë me një këmbë në BE dhe maskarallëqe të tjera të këtij lloji.

Ndaj kjo ka sjellë shqetësim në radhët e aleatëve të mëdhenj të Shqipërisë, reagimi i të cilëve ka qënë në forma të ndryshme, qoftë duke ua ndaluar hyrjen në vendet e tyre, qoftë dhe duke i vënë në “cepin e ringut” të politikës shqiptare, pasi shpërblimet për shërbimet e kryera janë bërë me “rubla” ose valutë të fortë, dollarë, dhe që qarkullojnë nëpër bankat ruse, si bankat më të sigurta dhe të mbrojtura nga “auditet” e botës demokratike që të verifikojnë dhe qindarkën e depozituar nga çdo qytetar.

Ka një filozofi që e theksojnë shumë të gjithë strategët në botë, por dhe njerëzit e thjeshtë e deri tek krimi i nivelit më të lartë: gjithçka është për paratë, si t’i shtojnë dhe ti kenë të sigurta jashtë “radarit” të kontrolleve të imtësishme të organeve ligjzbatuese. Por dhe se shërbimi paguhet, askush nuk punon dhe rrezikon falas!

Tashmë që sanksionet e forta të SHBA, vendeve të BE, Britanisë së Madhe dhe gati të të gjithë vendeve të globit për bizneset, oligarkët dhe gjithçka që “flet” rusisht, bllokimi i parave të tyre të paligjshme ka shqetësuar disa nga politikanët shqiptarë, të cilët ndjejnë se u rrezikohen paratë në bankat ruse apo të tjera të lidhura me to. Para të dërguara cash ose të dhëna në formë shpërblimi për shërbimet e kryera, pa dalë nga shteti rus.

Dhe në historinë e kriminalistikës, kur kryhet një krim, i dyshuari i parë si autor krimi është personi që bërtet më shumë, përpiqet të justifikohet më shumë, mundohet të sjellë argumente sa më shumë dhe që nuk lë rast pa e nxjerrë veten në pah si të pafajshëm. Madje dhe që interesohet më shumë për zbardhjen e krimit, duke u interesuar dhe tek familja e viktimës, nëse ka ndonjë nevojë. Pikërisht ky kontigjent është dhe i akuzuari i parë dhe pista e parë për kryerjen e një krimi, që organet ligjzbatuese sanksionojnë në krye të listës së të dyshuarve.

Kështu po ndodh dhe me një pjesë të politikanëve shqiptarë, të cilët janë në “garë” me njëri tjetrin, për të dënuar agresionin rus ndaj Ukrainës, për të kërkuar rezolutë pas rezolute në Kuvendin e Shqipërisë që dënon këtë agresion, anipse qeveria shqiptare i ka përfaqësuar të gjithë teksa ka formuluar, paraqitur, mbrojtur dhe marrë votat maksimale për një rezolutë në OKB.

Me sa duket kanë ndjerë rezikun e zerimit të këtyre parave të depozituara në bankat ruse apo të lidhura me to, për shkak të sanksioneve por dhe dizbalancimit monetar dhe ekonomik në Moskë pas agresionit në Ukrainë, ndaj janë aktivizuar rëndshëm në dënimin e agresionit rus, por duke u përpjekur sa më shumë që të shmangin përmendjen e emrit të “carit” Vladimir Putin.

Jo vetëm që janë frikësuar nga një humbje e dytë pas skandalit në bankat e Qipros, ku politikanë të caktuar shqiptarë kanë humbur miliona euro, sipas akuzave që i bëjnë njëri tjetrit nuk janë akuzat tona këto, por dhe pse mund të zbulohet shkaku i vërtetë i mënjanimit nga politika shqiptare e një pjese prej tyre, që është cënimi i sigurisë së aleatëve tanë të mëdhenj, Aleancës së Atlantikut të Veriut, kuptohet dhe Shqipërisë.

Shqiptarët do të shohin ditë pas dite se si do të dalin zbuluar këta “patriotë” dhe mbështetës të fortë të sovranitetit të Shqipërisë duke e përqasur me thirrjet për Ukrainën sovrane, të cilët po t’i “gërvishtësh” sadopak dalin në habitatin e vet: Orientimin e tyre drejt Rusisë dhe vendeve të Lindjes, përderisa bota demokratike dhe Perëndimi i ka abandonuar me kohë e me vakt. Do gjejnë diku strehë dhe kjo po verifikohet ditë pas dite se kush është bota që dëshirojnë.

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Cavsj: 04/03/2022 20:55

    Sa me cudit ky artikull dhe kjo e ashtuquajtur klase politike. Sa mire qe e njihni togfjaleshin krime njerezore per pushtimin rus ne ukraine?! Pse nuk tregoheni kaq te dijshem me krimet njerezore serbe ne Kosove dhe kundra ne Shqiptareve? Si shpjegohet kjo? Njesha te ligjit nderkombetar dhe specialista gjenocidi per luften Ruso Ukrainase. Goje qepur dhe gryke mbyllur per ceshtjen tone dhe krimet e fqinjeve tane ndaj nesh? Po serbia, Greqia, Turqia dhe shtetet bq-ra qe kemi perreth, a nuk kane bere krime njerezimi tek ne? Rusia nuk i ka bere ende asgje Ukraines sa ka bere shkjau ne Kosove dhe Shqiperi. Cfare do beni dhe cfare do thoni kur Rusi te filloje perdhunimet dhe vrasjet e foshnjave sic na e kane bere Greket dhe Serbet? Pse nuk e ngrini zerin per krimet ndaj nesh?

    Përgjigju
    • Ela: 04/03/2022 23:37

      Fakti qe po e ngre zerin per dicka qe po ndodh tani nuk te jep te drejte ta akuzosh per ngritjen e zerit per ate qe ndodhi ne Kosove shume vite me pare. Dhe po, e ka ngritur zerin shume fort, nuk di ne ca gjumi paske qene ato kohe. Ajo qe ka shkruar eshte nje e vertete e hidhur per tradhetaret dhe kusaret qe kane shkaterruar kete vend i ke perpara syve cdo dite ne TV. Puno per ate qe mund te besh tani, si per Shiperine edhe per Kosoven e mos hidh vrer mbi cdo gje me vlere qe shkruhet.

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

NATO dhe Ukraina takohen lidhur me raketën e re ruse

NATO dhe Ukraina takohen lidhur me raketën e re ruse