Nuk kam recensuar kurrë një libër dhe as kam ndërmend të shkruaj idiotësira tani. Kam shkruar aq shumë të tilla pa dashje, duke folur pak a shumë për cdo gjë.
Kur isha djalë i ri, gazeta për të cilën shkruaja (sa për kënaqësinë të shihja emrin tim poshtë shkrimeve) më dërgonte në kinema për të kritikuar, si me thënë, premierat. Më mjaftoi ajo eksperiencë e tmerrshme. Që atëherë nuk jam marrë më kurrë me asnjë lloj vepre arti, të vërteta apo të ashtuquajtura. Nuk më jepet. Nuk më intereson asgjë përvec kronikës. Për këtë arsye nisa të lexoj "L'inumano" (Çnjerëzori) të Massimiliano Parente (Mondadori) pa e patur ndërmend të shkruaja në këto kolumna, por vetëm sepse jam kurioz dhe u hedh një sy gati të gjithë librave që më kalojnë nëpër duar. I shfletoj gjatë ditës, mes një pune e një tjetre dhe në mbrëmje në divan, në pritje të gjumit.

Ky libër i Parente-s më kuriozonte, më shumë sepse e njoh atë dhe e vlerësoj për shkrimet që publikon te "Il Giornale". Më pëlqejnë idetë e tij ecentrike dhe mënyra si i shpreh. Eshtë aq i aftë, sa nuk ka nevojë të jetë mendjemadh. Ka humor, është djegës, armik i banales.
Megjithatë, e pranoj se faqet e para të "Çnjerëzorit" më zhgënjyen. Shpresoja që të mos kishte bërë një roman. Në fakt, zbulova se ishte i tillë. Kjo gjë më kërcënonte të mos e vazhdoja leximin. Në moshën time, pasi kam lexuar shumë autorë klasikë dhe shumë mbeturina që mbanin erë, nuk ia ke ngenë të lexosh dialogë absurdë dhe përshkrime të rëndomta mjedisore. Sic thonte dhe Leo Longanesi, kujt i bëhet vonë të marrë vesh që "…zonja u cua nga kolltuku, iu afrua dritares, mbështeti menduar ballin në xham, pa poshtë në rrugë, kqyri tramvain të dilte nga mjegulla dhe u pushtua nga melankonia…". Ja kështu, edhe mua nuk më bëhet vonë për tramvain dhe sidomos për gratë melankonike. Më mjaftojnë trishtimet e mia. Romancierët e zgjasin shumë për të bërë një batutë të fortë, po u erdhi. Përse të mos bësh shpejt batutën dhe të prishësh gjithë pjesën tjetër që të mërzit?
Ndërsa Parente është një shkrimtar special. Nuk rreh ujë në hava. Ndoshta bëri të vetën këtë formulë narrative për t'i dhënë një renditje argumentave që i ka për zemër. Mund dhe të mos e bënte. Mendimi i tij spikat, dhe për të rënë në sy, nuk ka nevojë për kornizë, zakonisht e nevojshme për t'i dhënë vlerë kujt ka pak.
Massimiliano josh sepse është një bastard sublim, i egër dhe i pamëshirshëm, nganjëherë cinik. Nuk do të jem asnjëherë në lartësinë e aftësisë së tij për t'i rezistuar hipokrizisë. Do të ishte një kirurg i madh i shpirtit nëse shpirti nuk do të ishte një shpikje gjeniale e kujt nuk është gjeni dhe nuk lodhet së qeni një segment i varur në hiçgjë. Megjithatë bisturia e tij dhemb, pasi heq nga trutë zhavorrin që i mbush me iluzione: pavdekshmëria, ringjallja, parajsa.
Parente ndjen keqardhje për njerëzimin, por nuk e shfajëson sepse njerëzimi nuk bën asgjë për të dalë nga përrallat në të cilat është zhytur duke mashtruar vetveten mbi domethënien e jetës. E cila nuk ka një kuptim dhe kjo gjë shkakton dëshpërim dhe depresion tek kush nuk pranon gjërat evidente: njeriu është një masë qelizash. Kur shkatërrohen, dhe tani a pastaj do të ndodhë, merr fund dhe ai.
E gjithë kjo nuk ka kuptim, prandaj seicili gjen ndonjë gjë, dhe kush nuk dëshiron të lodhet e ta gjejë kap një të rastësishëm, atë që preferon, ose pranon atë të marrë në trashëgim nga prindërit. Besimi shpesh përcillet, si traditat. Vetëm që të mos e vrasin mendjen tani, ka njerëz që mendojnë se cfarë ndodh pas vdekjes. Dhe ngushëllohen duke e imagjinuar botën e përtejme tamam si spoti televiziv i kafesë: divanët bërë me re dhe Shën Pjetrin me tyrbe dhe mjekërr të bardhë.
Gjenialiteti i Massimiliano Parente-s qëndron në aftësinë për të zhveshur lakuriq të ngjashmit e tij e t'i bëjë qesharakë. Të gjithë ne jemi pak qesharakë me mirësitë tona, të cilave, kohët e fundit u kemi shktuar dhe të qënit "politikisht korrekt", tendenca për t'u indinjuar dhe për të pretenduar respekt: për ambientin, për kafshët (që edhe i pjekim), gruan, homoseksualët, të brishtët, fëmijët, pleqtë. Fjalë, fjalë. Të cilave nuk i korrespondojnë asnjëherë ose shumë rrallë, veprimet, faktet. Kënaqemi të dukemi të ndjeshëm dhe të mencur: ndërsa për të bërë gjëra konkretisht, sa tallemi.
Nëse asgjë nuk ka një kuptim, Parente e ka një: atë të humorizmit. Që e ndihmon të na thotë me kthejlltësi dhe argëtim të hidhur atë që kishim nuhatur, por që na dukej shëmtuar t'ja thonim vetes, sepse ëhstë bezdi të zbulohesh ashtu sic je: egoist dhe i kotë. Njerëzimi është i shpifur sepse është pjesë e natyrës, është vetë natyrë dhe natyra, të paktën ajo që na lejohet ta shohim nga afër, është një grirëse mishi ku ndjenjat nuk ekzistojnë. Mikrokozmosi reflekton të njëjtat gjëra të shpifura që mbretërojnë në makrokozmos. Nëse do të ishte e vërtetë që bota të ishte projektuar nga një qënie superiore, mund të dalim në përfundimin se është një kryevepër egërsie, një tallje gjigande, si romani që protagonisti i L'inumano ka shkruar dhe që, në fakt, as ka filluar ta bëjë.
Faqet e Massimiliano-s kanë vlerë se të bëjnë të ndihesh një budalla simpatik që pranon pa e vrarë mendjen e një refuzimi cdo konformizëm, sistemet sociale, etiketat, konvencionet dhe format. Veshja jonë mentale është shtresëzimi i gënjeshtrave të mjera që i tregojmë njëri-tjetrit, pa vënë re që komplikojmë jetën, që e duam të përjetshme edhe pse është e padurueshme, sepse kështu e ndërtojmë ditë pas dite, duke ëndërruar që e nesërmja të jetë më e mirë se e sotmja. Po të gjitha këto janë punë të dorës së dytë për Parente-n. Ai "i frekuenton" gjithmonë dhe argëtohet t'ja thotë lexuesit, duke imagjinuar se e skandalizon.
Rezultati është i ndryshëm: kur kapërcehet cudia, kush lexon "Çnjerëzorin", pasi është mësuar me një mënyrë të shkruari të lirë nga zbukurimet stilistike (tipike e atyre që pëlqehen nga një publik i dashuruar me pompozitetin e kotë), argëtohet deri në gaz.
Qesh me veten. Atëherë, mund të ketë shpëtuar nga idiotësia e qënies.

Shkrimi u botua sot ne gazeten Shqiptarja.com
(sg/shqiptarja.com)