Kryeministri Edi Rama ndodhet në Paris me ftesë të presidentit francez Emmanuel Macron, për të marrë pjesë në Forumin e Paqes, një nismë e shefit të Elizesë.

Kryeministri Edi Rama është pritur në një darkë zyrtare nga Presidenti i Francës në Pallatin Elize. Nga pamjet e publikuara nga vetë Rama në rrjetet sociale, shfaqet momenti kur kryeministri mbërrin së bashku me bashkëshorten e tij Linda Rama. Kryeministri është pritur nga presidenti Macron, ku mes liderëve ka pasur një përqafim të ngrohtë, ndërsa kanë zhvilluar edhe një takim kokë më kokë.

Më herët gjatë pasdites, kryeministri shqiptar mori pjesë në një bashkëbisedim me Gilles Gressani Drejtor i “Le Grand Continent” me temë “Diplomacia në një botë të ndarë: Lidershipi rajonal dhe e ardhmja e multilateralizmit”, ndërsa më pas në një sesion të forumit së bashku me Macron dhe disa liderë të tjerë.