Një efektive policie është bërë pre e një sulmi duke u goditur nga një makinë jashtë pallatit presidencial në Francë. Sipas raportimeve të para shoferi ka marrë drejtim kundravajtje në rrugën njëkalimshe duke targetuar policen ndërsa e “shikonte drejt në sy”, çka sipas hetuesve tregon se sulmi ishte i qëllimshëm. 

Oficerja e policisë e cila ka dalë para makinës për ta ndaluar, është përplasur duke mbetur e plagosur. Sipas ‘France24’ katër të dyshuar kanë dalë nga makina pasi goditën policen në pallatin presidencial Elysee, brenda të cilit në atë kohë ndodhej dhe presidenti Francois Hollande. Sipas mediave franceze dy persona të moshës 19-vjeçare janë arrestuar, ndërsa dy të tjerë, një vajzë dhe një djalë janë në arrati. Sipas hetimeve të para drejtuesi i automjetit ka rezultuar se kishte konsumuar alkool por jo në masën që përbën vepër penale. Oficerja 37-vjeçare është dërguar në spital ku ndodhet nën kujdesin mjekësor për dëmtim të gjymtyrëve dhe shtyllës kurrizore. Incidenti u shënua mbrëmjen e të mërkurës, në një kohë kur Parisi është në gjendje të lartë sigurie pas kërcënimeve për sulme të reja terroriste, e sidomos pas publikimit të numrit të ri të revistës satirike “Charlie Hebdo”, stafi i të cilës u sulmua një javë më parë nga dy ekstremistë islamikë. Megjithatë sipas policisë nuk mendohet se ky incident ka lidhje me sulmet terroriste.

Redaksia Online
(shqiptajra.com)