PARIS - Shkatërrimi i qytetit antik asirian të Nimrudit në Irak nga ana e ISIS-it përbën një krim lufte, njoftoi sot UNESCO-ja.
Zyrtarë irakianë thanë se ISIS-i filloi dje shkatërrimin e zonës antike, që përmban thesare të shumta dhe varre mbretërore. Sipërfaqja e kësaj zone është tetë kilometra katrore.
"Shkatërrimi i ndërgjegjshëm i trashëgimisë kulturore përbën krim lufte", thuhet në një deklaratë të shefes së UNESCO-s, Irina Bokova.
"Asnjë justifikim politik apo fetar nuk justifikon shkatërrimin e trashëgimisë kulturore të njerëzimit", theksoi ajo.
Nimrudi, i cili ndodhet 30 kilometra në juglindje të Mosulit, i themelua 3 000 vjet më parë dhe konsiderohet si kryeqyteti i dytë i Perandorisë Asiriane./ATSH/