Trafiku u bllokua për rreth 40 minuta në një rrugë pranë ujësjellës-kanalizimeve në Durrës të hënën, duke lënë dhjetëra automjete të bllokuara në vend dhe duke krijuar kaos në zonë.
Shkak i situatës është bërë parkimi i gabuar i makinave në të dy anët e rrugës, duke krijuar një “hinkë” që e ka bërë të pamundur qarkullimin. Si pasojë, një kamion i ndërmarrjes së ujësjellës-kanalizimeve nuk ka mundur të kalojë, duke paralizuar gjithë zonën.
Edhe pse qytetarët janë përpjekur të ndërhyjnë duke lëvizur automjetet, madje duke tentuar t’i zhvendosin me forcë, kjo nuk ka mjaftuar për të zhbllokuar rrugën. Gjatë gjithë kohës në zonë kanë rënë boritë e makinave, por drejtuesit e automjeteve të parkuara gabim nuk janë paraqitur për t’i lëvizur ato.
Ndërkohë, në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë, të cilat kanë nisur të vendosin gjoba ndaj automjeteve të parkuara në kundërshtim me rregullat.
Kujtojmë se parkimi i dyfishtë në rrugët e vendit nuk konsiderohet më një shkelje e lehtë administrative. Një vit më parë, autoritetet kanë paralajmëruar se ky fenomen cenon sigurinë rrugore dhe duhet të ndëshkohet, ndërsa sipas nenit 293 të Kodit Penal, shkelësit rrezikojnë gjobë apo deri në tre vite burg.
Komente










