Projekti “Parku inteligjent i bletëve” është shpallur fitues i Festivalit Kombëtar të Shkencës, i iniciuar për herë të parë nga Ministria e Arsimit. Ai është produkt i një pune katërmujore nga një ekip prej pesë nxënësish. Sipas koordinatores së projektit, Erviola Konomi, projekti u përzgjodh mes 30 projekteve finaliste, duke lënë pas rreth 300 projekte nga gjimnazet në të gjithë Shqipërinë.

“Projekti është përzgjedhur sepse ka një ndikim shumë të madh në mjedis. Nëse bletët do të zhduken, njerëzimi do të rezistonte për 4 vjet dhe kjo na nxiti që të vazhdojmë këtë projekt më tej. Nga shkolla jonë konkurruan 6 projekte dhe arritëm që të merrnim pikët maksimale. Festivali i Shkencës ishte një eksperiencë e bukur që nxit kreativitetin mes nxënësve dhe bashkëpunimin mes shkollave” tha Konomi.

Sipas nxënësit prezantues, Sokol Baxhia, projekti përbëhet nga disa sektorë: kreativiteti, teknologjia, zhvillimi i biznesit dhe ai shëndetësor.

“Bleta ka një ndikim shumë të madh në jetën tonë dhe ky projekt synon të integrojë teknologjinë e gjelbër me bletën. Ne donim të sillnim risi dhe inovacion” shprehet Baxhia.

Një nga elementët më të veçantë të projektit është krijimi i një lënde djegëse biodiesel, e prodhuar nga alga e ujërave të ëmbla “Spirogyra”. Mësuesi i kimisë, Selam Serjani, shpjegon se ndotja është kthyer në një problem madhor global, ndaj dhe zgjidhjet janë kërkuar tek biomasa, si algat, përmes të cilave mund të prodhohen karburante alternative.

“Sot në botë ndotja është shqetësim. Në këtë kuadër, ne kemi shfrytëzuar burime të tjera, siç janë algat, nga të cilat mund të prodhohet bio karburant. Nxënësit kanë prodhuar në sasi minimale bio diesel që mund të prodhojë energji. Kjo është teknologjia e së ardhmes” tha Serjani

Çmimi i parë ishte një surprizë për nxënësit dhe mësuesit e shkollës “Zhani Ciko”, tha mes emocionesh nxënësja Sara Dedgjonaj.

“Ishte një surprizë shumë e madhe. Kishim shumë emocione dhe kur u dha çmimi ishim shumë të entuziazmuar” thotë Dedgjonaj.

Ndërkohë, drejtori i shkollës, Ervis Hyseni, thekson se “Zhani Ciko” në Patos ka një përvojë disavjeçare në projekte inovative dhe ka fituar disa çmime të para edhe në konkurse europiane.

“Shkolla jonë është një krenari e veçantë për këtë çmim që fitoi. Jemi shumë të gëzuar sepse realizohet një rrugëtim jo i thjeshtë për nxënësit tanë, por nuk është rastësi që fiton sepse jemi shkolla e parë e certifikuar e-tëining, jemi pjesëmarrës në shumë projekte të tjera si CodeËeek nga Bashkimi Europian, e shumë aktivitete të tjera si ai në Samsun në Turqi ku jemi përfaqësuar denjësisht me nxënësit tanë. Unë jam krenar për punën që ata bëjnë. Shpresoj që ky mos të jetë çmimi i fundit. Steka është rritur shumë lart dhe do mundohemi t’i qëndrojmë standardeve dhe të konkurojmë denjësisht në festivalin e ardhshëm” tha Hyseni.

Festivali Kombëtar i Shkencës synon të nxisë kreativitetin dhe aftësitë kërkimore të nxënësve, duke i afruar më shumë me botën e shkencës.