Parlament, Ruçi-PD:S'keni besim
as tek Gjin Gjoni e Lefterie Lleshi?

Sesioni i ri parlamentar ka nisur me debate mes mazhorancës dhe opozitës për Reformën Zgjedhore. Kushtit të opozitës për zgjedhje të lira dhe të ndershme, votimit elektronik, kreu i grupit socialist, Gramoz Ruçi i është shprehur me ironi.

“S’ka problem më të madh se përgatitja për zgjedhjet, me këtë bie dakord dhe unë. Kushdo mund të shtronte pyetjen ku keni qenë këto 3 vjet e gjysmë për këtë çështje kaq madhore dhe të ligjshme?

U kujtuat vetëm tashmë. Ndryshimet në kod bëhen 6 muaj para, me pak fjalë s’keni pas vullnet për këto ndryshime, këtë e kërkoni sot si alibi. Ju e kishit kandidate për kryetare KQZ-je kryetaren tuaj, Lefterie Lleshin. Ju e skualifikuar, nuk e hoqëm ne. Pse nuk e mbajtët t’ju garantonte votat?

Kujt i trembeni ju, Kolegjit Zgjedhor? Ju keni bërë ç’keni dashur me gjykatat e apelit. Tani nuk keni as besim tek Gjin Gjoni?”,- tha Ruçi duke iu përgjigjur Edi Palokës. Kreu i grupit socialist tha se mazhoranca është dakord që t'i kërkohet mendim OSBE/ODIHR, për ndryshimet që kërkon opozita. “Listat e zgjedhësve janë bërë sipas programit që vendosët ju, kartën e identitetit ju e prodhuat, kompaninë ju e zgjidhët.

3 muaj para zgjedhjeve u kujtuat për votim elektronik e ka pasur Holanda dhe e ka hequr, e ka pasur Franca dhe e ka hequr. E ka Amerika në disa shtete dhe aty ku e ka, ka probleme. Neve çdo bëjmë me dy muaj kohë? Megjithatë jemi të hapur, ja ku jemi, kryetarin e parlamentit e kemi këtu, le të japë “ok” OSBE/ODIHR”,- theksoi Ruçi.
 
Opozita
Kryetari i grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka, u shpreh nga foltorja e Kuvendit se opozita insiston për zgjedhje të lira dhe të ndershme, duke i mëshuar përsëri kërkesës së demokratëve për votim elektronik në zgjedhjet parlamentare e 18 qershorit. Paloka u shpreh gjatë fjalës hapëse se, garantimi i një procesi zgjedhor të lirë dhe të drejtë është çështje thelbësore dhe se 20 parti kanë nënshkruar memorandum. “Meqë jemi tek kalendari, opozita parlamentare ka përcaktuar tashmë si çështje të saj parësore, zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Nuk mund të ketë çështje më thelbësore për ne sesa garantimi i votës së lirë. Shqiptarëve duhet tu kthehet besimi tek një proces i drejtë dhe i lirë, se vota e tyre do të shkojë atje ku ata duan dhe do të numërohet drejtë. Mbi 20 parti parlamentare dhe jo parlamentare kanë nënshkruar sot një memorandum”,-tha Paloka.

Meta
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta e ka cilësuar nisjen e këtij sesioni të Kuvendit, si tepër të rëndësishëm për përfundimin e reformave, me qëllim që t'i çelet rruga anëtarësimit të vendit në BE. "Gjatë sesionit të fundit të kësaj legjislature që po fillojmë sot duhet të nxisim cilësisht dhe në mënyrë konstruktive debatin politik, dialogun dhe bashkëpunimin midis mazhorancës dhe opozitës, duke kontribuuar maksimalisht në rritjen e standardeve të cilësisë së procesit legjislativ dhe efektivitetit të mbikëqyrjes parlamentare duke ndihmuar avancimin e procesit integrues në Bashkimin Evropian",-tha Meta. Ai theksoi se viti 2016 u mbyll me një bilanc të pasur për Kuvendin e Shqipërisë.


Seanca plenare e Kuvendit

Ora 18:30 Balla: Për votimin elektronik duhen 2 vjet përgatitje
Kryetari i komisionit parlamentar për Reformën Zgjedhore tha se për futjen e teknologjisë në zgjedhje duhen 2 vite përgatitje.  
 
Nga foltorja e Kuvendit, Balla tha se projekti kërkon kohën e nevojshme për tenderimin ndërkombëtar, konfigurimin e rrjetit dhe testimin e teknologjisë.
 
"Duhen 6 deri në 8 muaj për tenderin ndërkombëtar të investimi 60 milionë euro. Irlanda ka bërë një investim të tillë dhe në testin e parë investimi dështoi dhe duhen edhe 27 milionë euro të tjera. Duhen edhe 6 deri në 9 muaj të tjerë për të bërë konfigurimin teknik. Shkuam 1 vit e gjysmë.
 
Duhen edhe të paktën 3 muaj për një test kombëtar për shtrirjen e teknologjisë në të gjithë territorin.
 
Pra, Bylykbashi i 2012-ës s'e paska pasur gabim që duhen 2 vjet. Ne s'kemi qenë kundër por e kemi besuar OSBE-në si organizata më prestigjioze e Europës që certifikon zgjedhjet",
u shpreh Balla.

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

PD kërkon qeveri teknike, Kikia: Protestat e opozitës, modeste për ta detyruar mazhorancën të pranojë! Partitë e reja janë një realitet i ri në politikë

PD kërkon qeveri teknike, Kikia: Protestat e opozitës, modeste për ta detyruar mazhorancën të pranojë! Partitë e reja janë një realitet i ri në politikë