GREQI - Parlamenti grek votoi sot për heqjen e imunitetit parlamentar të deputetes dhe bashkëshortes së kreut të partisë neonaziste greke, "Agimi i Artë", Eleni Zarulia, si pasojë e tentativës së saj për t'i dhënë fshehurazi një plumb pistolete bashkëshortit të saj gjatë paraburgimit, njoftuan burime parlamentare. Bashkëshortja e Nikos Mihaloliakos akuzohet për tentativën e fshehjes së plumbit në një çantë udhëtimi gjatë një vizite që ajo i bëri kreut të "Agimit të Artë" në ambjentet e policisë anti-terror ku Mihaloliakos mbahej në paraburgim pas arrestimit të tij më 28 shtator.

Nikos Mihaloliakos ndodhet aktualisht në burg, në pritje të procesit të tij gjyqësor. Bashkëshortja e tij, Eleni Zarulia do të jetë brenda pak javësh deputetja e shtatë prej 18 deputetëve të partisë të cilëve u hiqet imuniteti për shkak të ndjekjes së tyre penale.

Pasi u akuzuan për mungesën e reagimit ndaj rasteve të shumta të dhunës së ushtruar nga anëtarët e partisë neonaziste, të kryera sidomos ndaj të huajve, autoritetet greke reaguan pas vrasjes së këngëtarit antifashist, Pavlos Fisas, në mesin e shtatorit.

Marrë nga ATA

Redaksia Online
(e.s/a.ç/shqiptarja.com)